Rastet e të prekurve me Coronaviruspo shtohen.
Ka dhjetë ditë që numri i tyre në Kosovë nuk ka rënë nën 500.
E kjo ka bërë që të shtohen kërkesat e atyre që kërkojnë trajtim në Infektivë.
Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Berisha – Ajazi, thotë se tash për tash kanë staf të bollshëm.
Por, sipas saj, nëse lakorja vazhdon në këtë ritëm, do t`u duhen ta shtojnë numrin e punonjësve, veçanërisht infermierëve.
“Në Klinikën Infektive kemi mjekë të cilët janë të punësuar nga Ministria e Shëndetësisë të cilët nga muaji korrik janë duke punuar bashkërisht me ne. Kemi mjekë të tjerë që janë plotësuar me këtë konkursin e dytë dhe specializantët që na kanë ardhur në ndihmë. Kemi edhe infermierë që janë punësuar nga MSH-ja dhe Banka Botërore. Mirëpo me rritjen e vazhdueshme normal që kërkesat për staf, veçmas infermierë, janë vazhdimisht të nevojshme”, theksoi ajo për Front Online.
Aktualisht janë gjithsej 107 pacientë që po marrin trajtim këtu, prej tyre 60 në oksigjeno-terapi dhe 9 në respiratorë.
Në rast se kapacitetet në këtë klinikë mbushen, pacientëve, vend u bëhet në ato të tjera.
“Numri ndryshon në dinamikë, vazhdimisht pranohen pacientë të ri, por lirohen pacientë të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Në momentin që kapacitetet mbushen atëherëekzistojnë edhe Klinikat e tjera Covid”, theksoi Berisha – Ajazi për Front Online.
Në Infektivë thonë se zgjidhjen e kanë gjetur edhe sa i përket furnizimit me oksigjen.
“Kemi dhoma me oksigjen qendror, faktikisht në secilin repart nga tri dhoma të cilat janë me oksigjen qendror dhe pacientët me gjendje të rëndë shkojnë në dhomat me oksigjen qendror, e pacientët të cilët kanë nevojë për sasi më të vogla vendosën nëpër dhoma me boca të oksigjenit. Për momentin ne nuk kemi probleme”, u shpreh ajo për Front Online.
Në Kosovë prej fillimit të pandemisë me 13 mars e deri tash si pasojë e infektimit me Coronavirus kanë vdekur 849 persona.