Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka folur edhe për futbollistët shqiptarë që po zgjedhin shtete tjera para “Dardanëve”.
Së fundmi, Andi Zeqiri, i cili ndonëse kishte “marrëveshje” me Kosovën, zgjodhi t’i bashkohej Zvicrës për “Euro 2020”, shkruan FrontOnline.
Challandes ka deklaruar se nuk është aspak i lumtur me këtë zgjedhje të Zeqirit.
“Nuk jam i lumtur aspak që ai është te Zvicra sepse Andi është një lojtar i së ardhmes për ne. Ende asgjë nuk ka përfunduar, por mbetet të shihet. Mirëpo, kemi rastin e Albian Ajetit që zgjodhi Zvicrën, por tani nuk është në listë për Evropian”, ka deklaruar Challandes.
“Jo vetëm për rastin e Andit, por edhe lojtarët tjerë që janë në të njëjtën pozitë. Ne si federatë dhe unë si trajner duhet t’i tregojmë atyre se i duam, të tregojmë interesin tonë dhe t’i bëjmë ftesa. Për të luajtur për Kosovën, ata duhet të ndjenjë krenari dhe nder”, tregoi ai.
“Ne nuk e kemi ndërmend t’i lusim ata dhe t’u biem në gjunjë pasi ne jemi Kosova dhe kemi ekipin tonë me lojtarë shumë të mirë. Nuk jemi skuadra më e mirë në Evropë, por jemi krenar. Edhe lojtarët duhet të ndihen krenar dhe jo pasi të mbesin pa opsion, ta zgjedhim pastaj Kosovën”, shtoi trajneri zviceran./FrontOnline/