Ish-deputeti Gani Geci krahason liderin e VV’së Albin Kurti me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Thotë se të dy kanë të njëjtën ideologji dhe mësues duke pasur vetëm një dallim mes tyre. Ndërkoh, Geci thotë se në skenën politike përfaqësohet nga e bija dhe nuk po e mendon rikthimin.
Duke folur për Lëvizjen Vetëvendosje, Gani Geci thotë se nuk e ka menduar kalimin në VV.
“Jo asnjëherë. Dallimi ynë është ideologjik. Lëvizja Vetëvendosje është parti e Albin Kurtit”, thotë Geci.
“Kurti është një personalitet i ngjashëm me Hashim Thaçin vetëm se ky ka lexuar më shumë. Hashimi s’ka lexuar. E kanë ideologjinë e njëjtë, mësuesin e kanë të njëjtë, e kanë Rexhep Qosjen”, tha Geci në RTV Dukagjini.
Geci tha se para zgjedhjeve të kaluara ka mbështetur një koalicion LDK-VV por se kjo ndryshoi kur kuptoi raportin e Kurtit me SHBA’të.
Sipas tij askush s’mund të udhëheq ekzekutivin e vendit nëse nuk e ka mbështetjen e amerikanëve.
“Pas zgjedhjeve unë nuk jam ai person që kam dashtë që raportet me SHBA’të të prishen. Nuk kemi as fuqi ushtarake e as politike t’i bëjmë ballë Serbisë pa SHBA’të. Edhe nëse 200 herë i fiton zgjedhjet pa thanë Amerika s’mund të jetë kryeministër”, tha Geci.
Ai tha se nuk është i gatshëm të rikthehet në politikë dhe se aty përfaqësohet nga e bija deputete e cila në zgjedhje mori rreth 20 mijë vota.
“Unë e kam vajzën aty (në politikë) Njëherë nuk pretendojë me u rikthy në skenën politike”, përfundoi ai.