
Pak para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në një intervistë për Tëvë1, bashkëkryetarja e GUXO-së, Donika Gërvalla, thoshte se çështja e zgjedhjes ose jo e Osmanit presidente edhe për një mandat është pyetje që duhet bërë vetëm partive opozitare, meqë për GUXO-n çështja e përkrahjes nuk vihet në diskutim.
“Nganjëherë habitem me pyetjet që më shtrohen. E para pse e vini në pikëpyetje. Pyetja që shtrohet në rastin e prillit është: A mundet kjo opozitë të mos ia japë votën Vjosa Osmanit për rizgjedhjen e saj në mars të vitit të ardhshëm? A mundet? Dhe nëse mundet, me cilin arsyetim? S’ka qenë presidente e mirë, nuk e ka përfaqësuar Kosovën mirë, s’ka luajtur rol unifikues presidentja Osmani në skenën nacionale dhe ndërkombëtare. Me cilin arsyetim kjo opozitë mund ta refuzojë kourimin dhe votën për këtë presidente? Kjo është pyetja që unë e shtroj”, kishte deklaruar Gërvalla më 9 dhjetor të vitit të kaluar.
Video me përshkrim nga kjo intervistë vazhdon të jetë në faqen zyrtare të Gërvallës, por gjërat kanë ndryshuar.
Tashmë ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, përveç që po hesht në publik për emrin e Osmanit, ajo sipas raportimeve, brenda diskutimeve në parti, ka dalë hapur kundër një mandati të dytë për Osmanin.
Gazetari dhe autori i emisionit Pressing, Leonard Kërquki, ditë më parë kishte deklaruar së raportet e Gërvallës me Osmanin vazhdojnë të jenë të këqija.
“Sipas informacioneve të mia, për shkak të Donika Gërvallës. Donika Gërvalla vazhdon të mbajë raporte të këqija me Vjosa Osmanin. Faton Peci ka një mendim tjetër, por deputetët e partisë GUXO janë të gjithë një zëri ashtu siç thotë Albin Kurti”, ka thënë Kërquki në Pressing.
Ish-kryediplomatja s’ka pranuar që të flasë as për media kur është pyetur për këtë temë. Në një përpjekje për të marrë një qëndrim të saj nga mediat, Gërvalla ka hyrë në ministri me arsyetimin se po shkon në zyrë.
“Jam duke shkuar në zyrë, faleminderit shumë, ditën e mirë”, kishte deklaruar shkurt ministrja duke u futur brenda ministrisë./