×
  • Opinione
  • Opinione

    Çfarë ka zbuluar Putini?

    Janusz Bugajski
    19 Korrik 2024

    Nga Janusz Bugajski:

    Kremlini i Putinit po shfaq gjithnjë e më shumë shenja frike për sa i përket luftës së tij kundër Ukrainës, për shkak të intensifikimit të presioneve ushtarake, ekonomike dhe ndërkombëtare. Moska është e shqetësuar se një Ukrainë plotësisht e armatosur do të përfshihet në një ofensivë të suksesshme për të rimarrë pjesë të mëdha të territorit të saj dhe për të dëbuar forcat pushtuese ruse.

    Propozimet absurde të Putinit për dorëzimin e Ukrainës në prag të samitit të paqes të qershorit në Zvicër tregojnë se Moskës po i mbarojnë idetë në parandalimin e Perëndimit të pajisë plotësisht forcat e armatosura të Ukrainës.

    Ushtria ruse nuk ia doli të pushtonte ndonjë territor të rëndësishëm, gjatë gjashtë muajve që Kievi kishte një mungesë rrezikuese predhash, për shkak të vonesave në financim nga ShBA-ja. Dhe, gjatë javëve të fundit, Moska qe e paaftë të përparonte në rajonin e Harkivit, pavarësisht avantazhit të saj në numër.

    Tani që, më në fund, Kievit iu lejua të godasë në territorin rus me armë perëndimore, infrastruktura ushtarake e Moskës është shënjestër e sulmeve të përditshme. Këtu përfshihen furnizuese me karburant, mbrojtja ajrore, rezervat e armëve, si dhe terminale rrugore dhe hekurudhore.

    Gjasat janë që Ukrainës t’i sigurohen jo vetëm armë me rreze më të gjatë veprimi, por edhe skuadrilje aeroplanësh luftarakë F-16, me çfarë do dëmtonte edhe më fort forcat tokësore të Rusisë.

    Edhe pse Moska e ka rritur prodhimin e mjeteve ushtarake, ajo nuk mundet ta kompensojë humbjen masive të tankeve, artilerisë, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe pajisjeve të tjera.

    Përdorimi i tankeve të mbajtura në magazina që nga vitet 1970 shpreh qartë cilësinë e ulët të pajisjeve ruse në përdorim. Sipas raportimeve të inteligjencës perëndimore, mbi gjysmë milioni trupa ruse janë vrarë, plagosur ose kapur rob dhe numrat e tyre po rriten me shpejtësi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e trupave të saj të oficerëve janë asgjësuar.

    Gjithnjë e më shumë, Moska po mbështetet në rekrutimin e emigrantëve dhe mercenarëve të huaj nga Azia Qendrore, Amerika Latine, Afrika dhe Lindja e Mesme. Ata joshen me premtime për paga të larta, por këta rekrutë të trajnuar mezi arrijnë të qëndrojnë për pak ditë në front të luftës.

    Meqë forcat ushtarake të Rusisë vijojnë të bien në luftë, Moskës mund t’i duhet të ndërmarrë mobilizim masiv, një lëvizje shumë e papëlqyeshme në popull të cilën Kremlini e ka shmangur nga frika se mos shkaktonte një tjetër rrjedhje të madhe të të rinjve jashtë vendit, si dhe provokonte trazira sociale e rebelime ushtarake.

    Putini ka zbuluar se sanksionet ndërkombëtare kanë pasur më shumë ndikim sesa është pranuar nga zyrtarët e tij. Ai kërkoi që ato të hiqen, për mundësinë e ndonjë marrëveshje paqeje me Ukrainën.

    Sanksionet e kanë ulur në vijimësi qasjen e Rusisë në teknologjinë, pajisjet dhe softuerin e huaj. Uashingtoni gjithashtu ka filluar ta vështirësojë shmangien e sanksioneve prej vendeve të treta që ofrojnë komponentë për luftën e tij. Bankat ruse kanë frikë nga tërheqjet masive bankare, pasi qytetarët kanë frikë se do të humbnin kursimet e veta. Kostoja e jetesës, gjithashtu, po rritet duke rezultuar në inflacion domethënës, ulje të shërbimeve sociale dhe mungesë produktesh të caktuara.

    Për sa i përket të ardhurave, kompania e madhe ruse e energjisë Gazprom po shkon drejt falimentimit, pasi shitjet e gazit natyror në Evropë kanë rënë ndjeshëm. Industria e eksportit të qymyrit gjithashtu është në prag të kolapsit financiar.

    Nafta bruto e Rusisë shitet me çmime nën mesataren globale dhe eksportet e naftës së rafinuar janë në rënie. Sanksionet me të rënda të Perëndimit do ta kufizojnë tregtinë e naftës dhe të gazit natyror rus. NATO planifikon të vërë nën kontroll lëvizjen e cisternave të naftës të vendeve të treta që transportojnë eksporte ruse përmes ujërave evropiane.

    Duke ndaluar këtë flotë në hije që lundron nëpër ngushticat daneze, Moska do të humbasë rreth një të tretën e eksporteve të saj të naftës në rrugë detare. Që kur qeveritë perëndimore vendosën një çmim kufi për naftën ruse, Moska është mbështetur në një flotë cisternash të vjetruara të bazuara dhe të siguruara jashtë Perëndimit. Lëvizjet për të bllokuar këto anije do t’i ulnin ndjeshëm të ardhurat e Kremlinit.

    Për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, agresioni i Moskës ndaj Ukrainës i ka hapur rrugën zgjerimit të NATO-s me pranimin e Finlandës dhe Suedisë, ka forcuar praninë ushtarake të NATO-s përgjatë frontit lindor dhe ka nxitur të gjitha vendet të shtojnë shpenzimet e tyre për mbrojtje, të blejnë armë të reja dhe të rrisin numrat e forcave të armatosura.

    Prania ushtarake e ShBA-së gjithashtu po rritet, veçanërisht në Poloni, ku tashmë ndodhen mbi 10 mijë trupa amerikane. Përgatitjet po avancojnë për t’iu kundërpërgjigjur çdo tentative sulmi nga ana e Rusisë ndaj ndonjë anëtari të NATO-s.

    Kufiri midis Rusisë dhe NATO-s është bërë shumë më i gjatë pas përfshirjes së Finlandës në Aleancë, ndërsa përqendrimi i forcave ruse përgjatë këtij kufiri është i ulët, pasi pjesa më e madhe e burimeve të saj të luftës dhe forcave të armatosura janë vendosur në vijën e frontit me Ukrainën.

    Në të njëjtën kohë, Kina po përfiton nga dobësimi i Rusisë duke këmbëngulur për naftë dhe gaz me çmime të ulëta dhe duke lidhur me Moskën marrëveshje ekonomike nga të cilat kryesisht do të përfitojë Kina.

    Në fakt, Rusia po kthehet në një vasal të Kinës. Laku rreth qafës së Putinit po shtrëngohet dhe mund të priten beteja të tjera të brendshme për pushtet, ndërsa Rusia vërvitet drejt kolapsit. /Gazeta “Dita”/

    Nga Rubrika
    Opinione25 Korrik 2025
    Nga: Arian Galdini Ballkani, si rrënjë e thellë e një peme ende të palindur, rri i fshehur në errësirën e tensioneve historike...
    Opinione24 Korrik 2025
    Shkruan: Ben Andoni Beteja e radhës ndaj informalitetit e ka treguar kryeministrin Rama si të papërballueshëm në aksionet e tij të befta....
    Opinione23 Korrik 2025
    Më 28 shtator, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Moldavi, një ngjarje për të cilën Rusia shpreson se do ta kthejë Kishinau...
    Të tjera
    Lajme25 Korrik 2025
    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se qytetari Agim Pllashniku është liruar pas intervistimit në stacionin policor, në lidhje me protestën...
    Lajme25 Korrik 2025
    Astrit Ibrahimi, fotografi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një fotografi të veçantë të realizuar më herët për ish-shefin e...
    Lajme25 Korrik 2025
    Deputetja e LDK, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ajo e quan sabotim të qëllimshëm të procedurave parlamentare nga...
    Bota/Rajoni25 Korrik 2025
    Pas urdhrit të evakuimit të banorëve nga 3 fshatra të Delvinës për shkak të rrezikut nga zjarri, në vendngjarje ka mbërritur edhe...
    Lajme25 Korrik 2025
    Në gjykimin ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq – Llune, Alesander Vllajiq dhe Momir Vakiq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj zyrave të...
    Lajme25 Korrik 2025
    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se e enjtja, 25 korrik 2025, ka sjellë një valë të pazakontë të të nxehtit, me...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.