
Përkunder takimeve të ditëve të fundit, partitë politike në vend nuk kanë arritur të pajtohen për një president konsensual.
Analisti politik Albert Krasniqi ka thënë për Indeksonline se në rrethanat aktuale, stabiliteti politik është jetik për vendin, sidomos pas periudhës së fundit të bllokadave institucionale dhe në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik.
Krasniqi thotë se zgjedhja e Presidentit nuk është vetëm një procedurë kushtetuese, por një test i pjekurisë politike dhe i aftësisë për kompromis.
Ndërkaq thotë se përgjegjësia kryesore bie mbi shumicën parlamentare, e cila ka mandat për të udhëhequr procesin dhe për të ndërtuar konsensus.
“ Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë treguar gatishmëri për dialog duke iu përgjigjur ftesave për takime. Ky proces duhet të udhëhiqet nga parimi i balancës institucionale dhe jo nga kalkulimet afatshkurtra politike. Në këtë fazë, do të ishte me rëndësi që të synohet një figurë me integritet të lartë, që gëzon besim më të gjerë politik e qytetar, në mënyrë që institucioni i Presidentit të luajë rolin e vet unifikues dhe garantues të balancës ndërmjet pushteteve”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq I pyetur se a rrezikon vendi të shkojë në zgjedhje, Krasniqi tha se është pak e pritshme që një subjekt politik që ka arritur një rezultat shumë të lartë elektoral, të nxisë zgjedhje të reja, sidomos nëse nuk ka ndryshime të mëdha në balancën politike. Megjithatë thotë se politika kosovare , ka treguar se skenarët e papritur nuk mund të përjashtohen plotësisht.
“ Historikisht, Kosova nuk ka shkuar në zgjedhje si pasojë direkte e dështimit për zgjedhjen e Presidentit. Në momentet vendimtare, partitë politike kanë arritur kompromis për të shmangur një krizë të thellë institucionale. Gjithashtu, është pak e pritshme që një subjekt politik që ka arritur një rezultat shumë të lartë elektoral të nxisë zgjedhje të reja, sidomos nëse nuk ka ndryshime të mëdha në balancën politike. Megjithatë, politika kosovare ka treguar se skenarët e papritur nuk mund të përjashtohen plotësisht. Në fund, vendimmarrja do të varet nga kalkulimet politike, por kostoja e zgjedhjeve të reja – institucionale, financiare dhe në aspektin e stabilitetit – është e lartë”, ka thënë Krasniqi.
Deri tani asnjëra nga partitë politike nuk kanë dalë me ndonjë kandidat për president dhe se as nuk kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve , e më pastaj thirrjen e seancës, ku pritet të votohet për president të vendit. Por në rast se kjo seancë nuk thirret deri me 05 mars, kur dhe është afati I fundit, Krasniqi ka thënë se situata është e ngjashme me vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe se kjo krijon pasiguri juridike.
“Kushtetuta parashikon që Presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, por nuk përcakton qartë një sanksion automatik nëse ky afat tejkalohet. Situata është e ngjashme me vonesat në konstituimin e Kuvendit – pra krijon pasiguri juridike, por jo mekanizëm të menjëhershëm penalizues. Zgjedhjet parlamentare bëhen të detyrueshme vetëm nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës. Procedura konsiderohet e nisur në momentin kur propozohen të paktën dy kandidatë dhe zhvillohet votimi i parë. Një skenar problematik do të ishte mosnisja e procedurës ose zvarritja e saj për arsye politike, duke e lënë vendin me ushtrues detyre. Kryetarja e Kuvendit, si ushtruese detyre e Presidentit, ushtron kompetencat pa kufizime të qarta shtesë, çka mund të krijojë debate për balancën e pushteteve dhe për legjitimitetin politik të vendimmarrjes. Një situatë e tillë do të mund të shtynte zgjidhjen e çështjes për disa muaj, me pasoja potenciale në funksionimin e institucioneve, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila përballet me ndryshime në përbërje gjatë vitit”, ka thënë Krasniqi..