Zëvendësministrat në largim, Engelbert Zefaj dhe Qazim Rrahmani, i kanë dorëzuar sot detyrën Ministrit të ri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Zëvendësministrat Zefaj e Rrahmani e kanë uruar ministrin Çeku për marrjen e detyrës dhe i kanë dëshiruar sukses dhe përmbushje të objektivave dhe realizim të planeve gjatë udhëheqjes së MKRS-së.
“Ministria ka punuar shumë mirëpo pandemia ishte sfiduese për pengimin e realizimit të shumë aktiviteteve. Sfiduese për operatorët dhe institucionet që të mbaheshin aktivitetet”, tha ndër të tjera zëvendësministri Zefaj.
Tutje Zefaj e ka informuar më në hollësi për punën e deritashme që është kryer në ministri si dhe me sfidat që është përballur MKRS-ja gjatë kësaj periudhe.
Ndërkaq, ministri Çeku shprehu falënderimin e tij me punët e mira që janë kryer në ministri.
Ai u shpreh se do të përkushtohet që të punojë që të avancojë fushat të cilat janë në përgjegjësi të ministrisë që do të udhëheqë.
Ministri Çeku tha se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që e pret dhe se do të punojë ngushtë me komunitetet e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë.
“Do ta kryej punën me ndershmëri deri në momentin kur edhe unë do t’ia përcjell detyrën ministrit apo ministres së ardhshme. Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që punojmë me dinamikë dhe punë të reja që na presin”, tha ai.