Gjatë 24 orëve të kaluara, në Republikën Çeke dhe në Ukrainë janë shënuar shifrat më të larta të rasteve ditore të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë, duke ngritur shqetësim për një izolim të dytë.
Në Çeki, të mërkurën u regjistruan 11.984 raste për 24 orë, duke e vazhduar trendin e rritjes që filloi disa javë më parë.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 106 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 1.619, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Republika Çeke tash për tash ka një ndër shkallët më të larta të infeksionit në Evropë. Sa për krahasim, ajo regjistroi mbi 4.000 raste më shumë se Gjermania në 24 orët e kaluara, ndonëse ka numër rreth shtatë herë më të vogël të banorëve.
Në Ukrainë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare raportoi se në 24 orët e kaluara janë regjistruar 6.719 raste të reja të koronavirusit, që gjithashtu është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar në vendin e Evropës Lindore shkoi në 315.826.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe në Ukrainë u shënuan edhe 141 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 5.927.