Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ka vizituar dje Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Aty Cana është pritur nga presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi dhe sekretari Shasivar Haxhijaj, shkruan FrontOnline.
Me këtë rast Cana ka uruar Ismet Krasniqin për detyrën e re si President i KOK-ut duke ia ofruar mbështetjen e tij për ta vazhduar rrugën e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.
Gjithashtu, Cana foli edhe për sukseset e sportistëve nga Kosova, duke thënë se shqiptarët kanë sukses individual pasi janë më të prirur.
“Ne jemi një vend i vogël dhe jemi të dhënë pas sportit. Në sportet individuale kemi pasur dhe do të kemi suksese, pasi jemi më të prirur. Por, ne duhet të punojmë shumë që në të ardhmen të arrijmë të nxjerrim edhe sportistë të tjerë të nivelit të Majlinda Kelmendit që tani është legjendë në sportin e xhudos”, ka thënë Cana./FrontOnline/