×
  • Lajme
  • Lajme

    Caktohet data për fillimin e gjykimit ndaj Januzit, Bahtijarit e Shalës

    FrontOnline
    25 Tetor 2024

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim që më 14 nëntor 2024 të fillojë gjykimi në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

    Sipas vendimit të trupit gjykues të marrë më 24 tetor 2024, deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe ekipeve mbrojtëse të Januzit dhe Shalës pritet që të mbahen po të njëjtën datë, potencialisht edhe të nesërmen.

    Ndërsa, mbrojtja e Bahtijarit ka parashtruar kërkesë që deklarata e tyre hyrëse t’i bëjnë pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Kjo e fundit, pritet që paraqitjen e provave ta bëjë më 9 dhjetor 2024.

    Megjithatë, seanca e caktuar për 14 nëntor 2024 pritet të fillojë nga ora 09:30 me 45 minuta vonesa në transmetim.

    Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

    Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

    Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

    Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

    Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

    Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

    Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi

    Nga Rubrika
    Lajme25 Tetor 2024
    Mbrëmë Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjërë në disa rajone të Kosovës. Objekt i këtij aksioni kanë qenë femrat...
    Lajme25 Tetor 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se prodhuesit e sistemeve të armatimit nga Turqia kanë qenë dhe do të jenë ndër...
    Lajme25 Tetor 2024
    Ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla ka shënuar një dështim të radhës. Ky dikaster është detyruar t’ia ndërpresë kontratën kompanisë që e kishte...
    Të tjera
    Vip25 Tetor 2024
    Temë diskutimi banorët e shtëpisë më të famshme, “Big Brother Vip Kosova 3” patën emrat. Ishte Mevlani ai që e pyeti Besfortin...
    Vip25 Tetor 2024
    Vullneti dhe Mevlani për pak minuta kanë lënë anash inatet e zënkat brenda shtëpisë më të famshme në vend, BBVK 3. Dyshja...
    Lajme25 Tetor 2024
    Ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla ka shënuar një dështim të radhës. Ky dikaster është detyruar t’ia ndërpresë kontratën kompanisë që e kishte...
    Lajme25 Tetor 2024
    Gani Geci ka reaguar ashpër lidhur me grafitet kundër Fadil Gecit në Prishtinë. Ai madje para gazetarëve, e ka zhveshur këmishën duke...
    Lajme25 Tetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi për ngushëllime sot familjen Koshi në Prishtinë. Ai u shprehu familjarëve dhe miqve ngushëllimet më të...
    Lajme25 Tetor 2024
    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas deklaratave të Haxhi Avdylit për Dejona Mihalin. Avdyli tha se “Dejona është grua e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.