Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vendosur datën 11 maj 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimeve dhe kërkesave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe palët politike.
KQZ-ja kishte theksuar nevojën për të shfrytëzuar maksimalisht kohën për përgatitjen e votimit, duke përfshirë edhe votimin nga jashtë vendit.
Për këtë arsye, u kërkua që zgjedhjet të mbaheshin më 11 maj, duke garantuar infrastrukturën e nevojshme për një proces të suksesshëm, raporton Topchannel, përcjell Klankosova.tv.
Po ashtu, presidenti shqiptar mori në konsideratë shqetësimet e Partisë Demokratike dhe disa partive të tjera parlamentare lidhur me ndikimin e mundshëm të Samitit të Komitetit Politik Evropian (EPC), i cili ishte planifikuar për 8 dhe 9 maj 2025.
Pas konfirmimeve zyrtare se ky aktivitet nuk do të ndikojë në fushatë, data 11 maj u bë e pranueshme për të gjithë palët politike.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së votuesve nga diaspora dhe shprehu bindjen se këto zgjedhje do të përfaqësojnë një hap të rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.