Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për ankesën e Tinka Kurtit e Drita Millakut, mund ta rrezikojë zgjedhjen e Presidentit.
Kështu ka thënë përfaqësuesi i KDI’së, Eugen Cakolli, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’. Ai ka thënë se bazuar në këtë kriter, lista e deputetëve të zëvendësuar për LVV’në mund të pësojë ndryshime, teksa ka shtuar se “rrezikohet që ndonjë votë të jetë shkaktare e kontestimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit”, shkruan Gazeta Express.
“Bazuar në interpretimin e Gjykatës lista e deputetëve të zëvendësuar të LVV-së mund të pësojë ndryshime. Duke qenë se zëvendësimet e fundit janë bërë pikërisht mbi bazën e këtij kriteri, tashmë krijohet dilema se a duhet të vijohet me dhënien e betimit të këtyre deputetëve të zëvendësuar, apo të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë, e të kërkohet nga KQZ që të rishikohet rekomandimi i fundit”, thuhet në postimin e tij.
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ankesat e dy deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurtit dhe Drita Millakut, lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit. Ato pretendonin se KQZ’ja, PZAP’ja dhe Gjykata Supreme kanë zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese mënyrën e zëvendësimit të deputetëve të përcaktuar me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Gjykata ka obliguar të gjitha autoritetet publike të Republikës së Kosovës që nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ta interpretojnë në pajtim me gjetjet e këtij Aktgjykimi.
Postimi i plotë i Cakollit:
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve mbi kriterin gjinor, do t’a komplikojë, e madje rrezikojë zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
Bazuar në interpretimin e Gjykatës lista e deputetëve të zëvendësuar të LVV-së mund të pësojë ndryshime. Duke qenë se zëvendësimet e fundit janë bërë pikërisht mbi bazën e këtij kriteri, tashmë krijohet dilema se a duhet të vijohet me dhënien e betimit të këtyre deputetëve të zëvendësuar, apo të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë, e të kërkohet nga KQZ që të rishikohet rekomandimi i fundit.
Ndryshe, rrezikohet që ndonjë votë të jetë shkaktare e kontestimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, e madje edhe rrëzimin e tij, siç ka ndodhur me rastin e ish-deputetit Etem Arifi.