×
  • Lajme
  • Lajme

    Cakaj: Specialja është dashur të themelohej për Serbinë e jo për Kosovën

    FrontOnline
    08 Tetor 2020

    Viti 2020 shënon një varg ngjarjesh të rëndësishme për popullin shqiptar. Një nga kthesat kryesore, është edhe arritja e një gjuhe të përbashkët mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të paktën në një pikë, kjo me ndërmjetësimin e ShBA-ve.

    Derisa presidenti Trump ishte “sebepi” i kësaj marrëveshjeje në Uashington, në Luginë e Preshevë për bashkimin e spektrit politik shqiptar u bë Ministri i Punëve të Jatshme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

    Ky i fundit në një intervistë për IndeksOnline ka folur rreth 4 shtatorit, por edhe për rolin e poltikanëve shqiptar në Luginë, pas rezultatit historik të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Por, edhe për polikën e shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut.

    I pyetur për arrestimet e fundit nga EULEX-i ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, Cakaj thotë se Gjykata Speciale është dashur të themelohet realisht për Serbinë e jo për Kosovën.

    – Si e vlerësoni nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike në Uashington në mes Kosovës dhe Serbisë? A i hap kjo rrugë edhe hapit të mëtejmë, atë të njohjes së shtetësisë? Kur mendon që duhet të ndodhë kjo, dhe a duhet të ketë “kushte” Kosova ndaj Serbisë?

    Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike nënshkruar në Uashington, më 4 shtator 2020, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë është shumë e rëndësishme për një varg arsyesh që nuk mund të shtjellohen në një intervistë të kësisoj. Sidoqoftë, përderisa marrëveshja e Uashingonit paraqet një hap të madh drejt marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve, ajo megjithatë mbetet pamjaftueshme në vetvete. Thelbi i problemit mes vendeve është politik. Për shkak edhe të detyrës zyrtare, unë nuk mund të flas për kohën se kur mund të ndodhë marrëveshja, por mund të flas për një element të domosdoshëm të përmbajtjes së saj: njohjen përfundimtare të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

    – Jeni ndër personalitetet shqiptare që keni arritur edhe bashkimin e spektrit politik shqiptar në Luginë. A ka arritur që zëri i këtyre politikanëve të dëgjohet atje? Cilat janë planet e juaja për shqiptarët atje, marrë parasysh rolin tuaj?

    Forcimi i pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka qenë një prej prioriteteve themelore të Republikës së Shqipërisë. Problemet e shqiptarëve atje janë aq të komplikuara në natyrë e aq të shumta në numër, sa nuk mund të ndryshojnë rrënjësisht për një kohë kaq të shkurtër. Sidoqoftë, nga Janari 2019 e këndej, kemi marrë një varg masash në funksion të mbështetjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës: financimi i rregullt i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, sponsorizimi i hapjes së zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar edhe në Medvegjë, financimi për restaurimin e Qendrës Kulturore Multidimensionale në Bujanoc, financimi i librave të teksteve shkollore për gjithë nxënësit shqiptarë të Luginës, marrëveshja për lejuar përdorimin e mbi 24 teksteve shkollore në gjuhën shqipe për herë të parë, marrëveshja politike për unfikimin e faktorit politik shqiptar në zgjedhjet parlamentare e marrëveshja politike për qeverinë e shumicës shqiptare në Bujanoc (shumë të vështira për të arritur e janë arritur për herë të parë), aksioni diplomatik për ngritjen e çështjes së fshirjes së adresave të shqiptarëve, ngritja e fondit ndër-shtetëror për Luginën e Preshevës, mes tjerash. Mbase ia vlen të shtojmë se mbetemi ende në pritje të një përgjigje pozitive nga ana e Serbisë për ta lejuar çeljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc.

    Këto veprime tregojnë për një punë madhore që është ndërmarrë për herë të parë nga Republika e Shqipërisë në mbështetje të Luginës së Preshevës. Sidoqoftë, mbetet ende tepër shumë për t’u bërë marrë parasysh gjendjen e shqiptarëve atje. Lugina e Preshevës është rajoni me shumicë shqiptare më i pazhvilluar në Serbi e shqiptarët e Luginës së Preshevës mbesin prej pakicave kombëtare më të shtypura në rajon. Prandaj, pavarësisht se ngritja e fondit është një zhvillim shumë i rëndësishëm në funksion të mbështetjes së shqiptarëve të Luginës, përpjekja e shtuar e vëmendja e duhur nuk do të mungojnë për të mirën e Luginës së Preshevës.

    – Ndryshime ka pasur edhe Mal të Zi e Maqedoni Veriore? Sa po keni bashkëpunim dhe si i vlerësoni politikat e shqiptarëve në këto dy shtete?

    Bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është i shkëlqyer në rrafshin dypalësh, në kuadër të nismave rajonale, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, brenda familjes së shteteve të NATO-s dhe jo vetëm.

    Në përgjigje të pyetjes tuaj, ndërkaq, vlen të theksohen shkurtimisht dy elemente me rëndësi:

    Së pari, faktori politik shqiptar ka luajtur kyç me rëndësi në arritjen dhe ruajtjen e tre marrëveshjeve të rëndësisë së jashtëzakonshme për Maqedoninë e Veriut: Marrëveshjen e Ohrit si themel i demokracisë multi etnike, Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë për dhënien fund jo vetëm të kontesteve ndër-shtetërore dekadëshe por edhe të rëndësisë jetike në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me marrëveshjen e fundit koalicionit qeverisës atje, shqiptarët janë vendosur në poste të rëndësisë së posaçme shtetërore, përfshirë zv. Kryeministrin, Ministrin e Jashtëm dhe atë të Financave, por edhe Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin për 100 ditë si fillim. Kjo tregon për peshën e patjetërsueshme e kontributin e jashtëzakonshëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Vlen të theksohet se me qëllim të përafrimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shqiptarët kemi nënshkruar edhe marrëveshjen për themelimin e Qendrave Kulturore dhe Informative në Republikën e Shqipërisë dhe Qendrave Kulturore dhe Informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe jemi në mbyllje të procedurave për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë.

    Së dyti, faktori politik shqiptar, pavarësisht se në numër dukshëm më i vogël, ruan peshën e tij të fort të rëndësishme politike në Mal të Zi. Ai ka luajtur një rol domethënës jo vetëm në procesin e pavarësimit të Malit të Zi, por edhe në arritjen e objektivave euroatlantike të vendit, përkatësisht, anëtarësimit në NATO e procesin e anëtarësimit në Bashkim Evropian. Së fundi, ne kemi bërë një punë të vyer në ndërmjetësimin e marrëveshjes për Listën Shqiptare me pjesëmarrje të gjerë partive shqiptare Alternativa Shqiptare, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit e Perspektiva Qytetare, nga Malësia deri në Ulqin. Në rrethanat pas-zgjedhore atje, megjithatë shumëçka mbetet të shihet. Në fund, vlen të theksohet se në shërbim të mbështetjes për shqiptarët e Malit të Zi, kemi marrë edhe përgjegjësinë për financim të rregullt të Këshillit Kombëtar Shqiptar, hapjen e librarisë me materiale shqipe në Ulqin dhe jemi në mbyllje të përgatitjeve për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin. Gjithsesi, siç thamë më sipër, duhet vazhduar përpjekja për ngritjen e fondit ndër-shtetërorë, Kosovë-Shqipëri, për mbështetjen financiare edhe të shqiptarëve në Mal të Zi.

    – Ditëve të fundit Eulex me fletë arrest të Gjykatës Speciale ka arrestuar edhe disa ish-ushtarë të UÇK-së, si e keni lexuar këtë nga kjo gjykatë dhe rolin e saj, veçmas pas ngjarjeve të fundit?

    Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UNMIK-u, Gjykata e Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore e tani edhe Gjykata Speciale. (Nuk duhet harruar se mbi baza politike dhe arbitrare edhe Serbia ka dhënë dënime ndaj shqiptarëve për krime lufte në Kosovë). Kjo tregon se asnjë luftë tjetër në Jugosllavi (dhe jo vetëm) nuk është hetuar më thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më shumë, çdo i dyshuar i profileve të larta në Kosovë (sado padrejtësisht) nga Presidenti i Republikës, Kryeministri a përfaqësues tjerë të lartë ushtarak/ politik, janë përgjigjur menjëherë e pozitivisht thirrjeve të këtyre gjykatave. Kjo tregon se asnjë shtet nuk ka qenë më i hapur e më bashkëpunues me drejtësinë (ndër)kombëtare se Kosova. Prandaj, duke i marrë parasysh edhe ndodhitë e luftës së fundit në Kosovë, Gjykata Speciale është dashur të themelohet realisht për Serbinë e jo për Kosovën. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se Kosova ka mundur ta shmangë fillimisht themelimin e Gjykatës Speciale apo se tani duhet pezulluar bashkëpunimin me të. Përderisa Gjykata Speciale do të vazhdojë punën e saj, shoqërisë shqiptare në përgjithësi i takon të punoj fort në shumë drejtime për të mos lejuar përmbysjen e narrativave historike dhe për të mos shtrembëruar pasqyrën e krimeve të Serbisë në Kosovë. Thënë ndryshe, kjo Gjykatë nuk mund ta rishkruaj historinë.

    Nga Rubrika
    Lajme12 Nëntor 2024
    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se do të jetë në listën kandidatëve për deputet...
    Lajme12 Nëntor 2024
    Sekretari Organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla, është shprehur i ashpër me qeveritarët e Kosovës për të cilët...
    Lajme12 Nëntor 2024
    Për vrasjen e S.O., 37-vjeçar, janë dorëzuar dy të dyshuarit V.S. (viti i lindjes 1998, shtetas i Kosovës) dhe F.M. (viti i...
    Të tjera
    Lajme12 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga radhët...
    Bota/Rajoni12 Nëntor 2024
    Kryediplomati i administratës së Joe Biden në largim, Antony Blinken, shkon në Bruksel të martën për bisedime me aleatët evropianë të shqetësuar...
    Sport12 Nëntor 2024
    Kombëtarja shqiptare zhvilloi pasditen e sotme seancën e dytë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Departamenti i Komunikimi në FSHF bën...
    Lajme12 Nëntor 2024
    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka takuar Drejtorin Ekzekutiv të institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nga...
    Bota/Rajoni12 Nëntor 2024
    Një copë torte 77-vjeçare nga dasma e Mbretëreshës Elizabeth II me Princin Philip u shit në ankand për 2,800 dollarë. Torta ishte...
    Lajme12 Nëntor 2024
    Njohësi i çështjeve të Arsimit, Argjend Osmani, ka komentuar këtë proces. Ai e cilësoi furnizimin me tekste shkollore si një proces të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.