Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në mbledhjen virtuale të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve mbështetëse të Procesit të Berlinit, ka shprehur përkushtimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka njoftuar se tema qendrore e bisedës së këtij takimi ishte rinia dhe shoqëria civile.
“Është thelbësore të vazhdojë mbështetja për nismat në shërbim të forcimit të rinisë, shoqërisë civile dhe pajtimit ndëretnik, sikurse RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ekziston një nevojë e dukshme për të pasur një qasje më dinamike për zbatimin e prioriteteve të Procesit të Berlinit, sa i përket tregut e ekonomisë, ndërlidhjes më të madhe e lëvizjes së lirë, shërbimeve për njerëzit e digjitalizimit, në përgjithësi”.
“Është e qartë, sa i përket Shqipërisë: bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim, por pjesë thelbësore për ta ndihmuar e përshpejtuar anëtarësimin në Bashkim Evropian”, shkruan ai në Facebook.