Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka akuzuar rëndë Vjosa Osmanin, të cilën më herët e kishte emëruar nënkryetare të partisë, duke e krahasuar me ish-diktatorin shqiptar, Enver Hoxhën.
Por, njëri nga ish-themeluesit e partisë që e drejton Mustafa (LDK-së), Jusuf Buxhovi, thotë se kjo retorikë çon drejt kaosit dhe anarkisë politike në vend.
“Gjuha që po përdoret në skenën politike të Kosovës (Parlament, Qeveri dhe nëpër institucione) kaherë ka vegjetuar në një gjuhë rrugaçërie, që gjithnjë e më shumë po ia hap rrugën kaosit dhe anarkisë politike, ku nuk ka rregulla e as përgjegjësi”, ka thënë Buxhovi për Front Online.
Buxhovi është shprehur se LDK-ja e tanishme nuk ka asgjë të përbashkët me partinë e krijuar dekada më parë me Ibrahim Rugovën.
“LDK e tanishme nuk mund të krahasohet me LDK-në si lëvizje kombëtare që mori përsipër ndërtimin e shtetit të Kosovës nga themelimi i saj. Ai kapitull, që është historik, ka përfunduar më 12 qershor 1999”, është shprehur Buxhovi.
Ai thotë se figura e Rugovës po shfrytëzohet për të ardhur në pushtet dhe për të mashtruar elektoratin.
“Pra, kjo LDK, nuk ka asgjë të përbashkët me LDK-në si lëvizje kombëtare. Akronimi i saj, si dhe posterat e Rugovës, shfrytëzohen nga përfitues të ndryshëm, për të ardhur në pushtet! Pra, po ndodh një mashtrim i madh dhe i vazhdueshëm i elektoratit”, ka thënë ai.
Buxhovi kërkon që LDK-ja dhe partitë e tjera të reformohen, dhe të krijohet një veting me ndihmën e ndërkombëtarëve ku nuk do të lejoheshin të kandidojnë, persona që kanë probleme me ligjin.
“Jo vetëm LDK-ja, por të gjitha partitë tjera, të cilat janë despotike, kanë nevojë për reforma të thella. Kjo mundësohet vetëm po qe se faktori ndërkombëtarë ndikon që, në vend të zgjedhjeve si zgjidhje, ku një klikë e keqe zëvendësohet me një “klikë të mirë”, të krijohet një qeveri teknike me mandat 2-4 vjeçar, e ku fillimisht do të kryhej një veting i mbikëqyrur nga gjyqësori ndërkombëtare për t’u sjellë para përgjegjësisë akterët e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, dhe ç‘është po ashtu e rëndësishme, duhet reformuar sistemi zgjedhor, nga ky me një zonë elektorale, që prodhon despotë, në një sistem me shtatë-tetë zona elektorale, që po ashtu, parandalon kandidimin e atyre që kanë pasë probleme me ligjin, ose që kanë qenë të dënuar”, ka thënë Buxhovi.
Në fund ai kërkon që të ketë reformë të brendshme zgjedhore brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që të ketë tranzicion nga partitë-despotike në ato parlamentare.
“Në këso rrethanash duhet kryer edhe Reforma zgjedhore, si një parakusht i domosdoshëm, që skenës politike t’i kthehet normaliteti. Po qe se veprohet kështu, atëherë të gjitha partitë, veçmas LDK, mund të kryejnë reformat e brendshme zgjedhore , që mundësojnë tranzicionet nga partitë-despotike te partitë parlamentare, ku padyshim forcat e reja, me ide demokratike, zëvendësojnë gardën e kapësve të shtetit”, ka thënë Buxhovi.
Ndryshe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pasur përplasje edhe me deputetin Haxhi Avdyli.
Ai javë më parë ka thënë se Avdylin nuk e konsideron as deputet të partisë së tij.
Por reagim më të ashpër pati të enjten ku tha se të merresh me ato çka deklaron Avdyli është si të rrëshqasësh në gropë septike.
Këto deklarata Mustafa i bëri pasi Avdyli e quajti komunistin e fundit të mbetur në Kosovë.
“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS , i shkolluar në Kumrovc, ministri i fundit i Krahinës Socialiste të Kosovës po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar ne SHBA, në vendin simbol të demokracisë. Ja deri ku arriti mediokriteti i tij”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
/Front Online/