Një burrë që qëlloi shëtitësin e qenve të Lady Gaga-s dhe rrëmbeu dy kafshët e saj shtëpiake në shkurt të vitit 2021, është dënuar me 21 vjet burg për një “sulm gjakftohtë dhe të dhunshëm”.
James Howard Jackson është një nga tre burrat që morën pjesë në sulmin në shkurt 2021. Gjatë incidentit, ai qëlloi Ryan Fischer me një pistoletë të kalibrit 40 ndërsa po ecte me bulldogët francezë të yllit të popit në Los Anxhelos. Fischer u plagos rëndë në gjoks dhe pas të shtënave, sulmuesit rrëmbyen dy kafshët shtëpiake të Gaga-s.
Jackson tha në gjykatë se ai nuk kundërshton asnjë akuzë të aktakuzës për tentativë vrasje, njoftoi dje zyra e Prokurorit të Qarkut në Los Angeles. “Sot u arrit një marrëveshje në çështjen kundër James Howard Jackson,” tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit.
“Z. Jackson tha se ai nuk kundërshton asnjë akuzë të aktakuzës për tentativë vrasjeje dhe pranoi akuzën e lëndimit të rëndë trupor. Ai u dënua me 21 vjet burg”, tha ai.
“Jackson po mbahet përgjegjës për kryerjen e një akti dhune gjakftohtë, që do të thotë drejtësi për viktimën tonë. Zyra e Prokurorit të Qarkut është e angazhuar të mbajë përgjegjës këdo që kryen akte dhune në komunitetin tonë”.
Jackson u lirua nga paraburgimi më 6 prill 2022 pas një gabimi administrativ, por u arrestua përsëri në gusht. Prokuroria bëri të ditur se pjesëmarrësi në ngjarje, Harold White, tha dje se nuk e kundërshton akuzën që e ngarkon për armëmbajtje, për këtë arsye do të dënohet vitin e ardhshëm.
Policia tha më parë se lidhja me Lady Gaga-n ishte e rastësishme dhe motivi i grabitjes ishte vlera e bulldogut francez, një racë me vlerë disa mijëra dollarë. Dikur Gaga i ofroi një shpërblim prej 500 mijë dollarësh personit që i kthente kafshët shtëpiake.
Buldogët e rrëmbyer të padëmtuar u dorëzuan në komisariatin e Los Anxhelosit disa ditë pas incidentit nga Jennifer McBridge, e cila gjithashtu akuzohet për pjesëmarrje në krim./FrontOnline/