Prindon Sadriu, bashkëshort i ushtrueses së detyrës së presidentes të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i cili është pjesë e stafit diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, këto ditë ka zhvilluar një “betejë të ashpër virtuale” me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajn.
Sipas disa komunikimeve elektronike të datës 25 janar 2021, të cilat i posedon portali Front Online, Sadriu i kujton shefit të tij, Gjergj Dedajt, se mbanë disa pozicione zyrtare, mes tyre: Diplomat karriere i gjeneratës së parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nënkolonel në Ministri të Mbrojtjes dhe Zotëria i Parë në Detyrë i Republikës së Kosovës.
Por, në Ligjin për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës askund nuk ceket “Zotëria i Parë”, e aq më pak “Zotëria i Parë në Detyrë”.
Sipas Nenit 22 të këtij Ligji bashkëshortja e Presidentit të Republikës gëzon statusin- Zonja e Parë e vendit.
“Lufta” mes Sadriut dhe Dedajt nisi pasi që ky i fundit i kërkoi bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes, i cili është vartës i tij në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, që stafi diplomatik duhet të respektojë urdhëresën e MPJD-së për paanësi në procesin elektoral për Zgjedhjet e jashtëzakonshme të Kosovës të datës 14 shkurt 2021.
Portali “Front Online” në lidhje me këto e-maila ka bërë përpjekje t’i kontaktojë nëpërmjet telefonit zyrtar Sadriun dhe Dedajn, por, kontakti me ta ka qenë i pamundur.
/Front Online/