
Ish-anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Burjani, për FrontOnline ka komentuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në vend, duke e cilësuar një proces të vështirë, të komplikuar dhe me kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
“Është e vështirë dhe është proces i komplikuar që të shkohet përseri në zgjedhje sepse aty pastaj kërkohet plani operativ zgjedhor nga KQZ dhe kërkohet plan urgjent brenda 45 ditëve me procedura të shkurtuara dhe thjeshtëzuara dhe buxheti mund të mbetët prap i njëjtë me atë që është organizuar herën e kaluara, pra rreth 8 milion euro”, thotë ai.
Burjani shton se procesi mbetet i rëndë dhe se nuk garanton ndryshime të konsiderueshme në rezultatet politike.
“Kjo është e rëndë, e vështirë dhe se s’ka rezultat tjetër edhe nëse fiton diçka, Kurti nuk ka çka fiton mbi 51%’’, shtoi tutje Burjani.
Ai thekson rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe të konsensusit demokratik.
“Ne kemi kushtetutë të qartë që kërkohet konsensus demokratik dhe nëse s’je gati me bërë konsensus për qeverisje atëherë s’ke çka. Me këtë kushtetutë, sa më parë që VV vetëdijesohet, aq më mirë do i ketë punët’’, deklaroi Burjani.
Burjani kritikoi edhe mënyrën se si po sillet Vetëvendosje në këtë proces.
“Kjo si ka nisur VV i bie jo pjekuri demokratike dhe jo e interesuar për të zhvilluar shtetin dhe institucionet, edhe pse përgjegjësia është e të gjithëve”, tha ai.