Edmond Lajçi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukellës në muajin prill të këtij viti në Pejë.
Vëllai i Gjyljetës, Shpat Ukella, u shpreh i kënaqur me vendimin e gjykatës dhe thotë se ky vendim i lehtëson pak dhimbjen familjes së tij.
“Sot gjykata e dha vendimin final që neve si familje na lehtësoi sadopak dhimbjen dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. E falënderojmë gjykatësin, prokurorinë, policinë për punën e bërë”, tha ai për gazetarët.
Ai tha se i është shtuar besimi në gjykata dhe se është optimist edhe për vendim të njëjtë nga Gjykata e Apelit.
“Për vrasjen e motrës sime të pafajshme që ka qenë duke pirë kafe dhe pa vetëmbrojtje, besoj që edhe Gjykata e Apelit dhe gjykatat tjera kanë me pasë konsideratë dhe nuk kanë me bërë lëshime. Kam fituar shumë besim sot në gjykata”.
Për fëmijët e Gjyljetës, ai tha se “si familje ne mundohemi që me u kujdes në mënyrën më të mirë për fëmijët”.
“Besoj që po më presin të shkoj në shtëpi e t’ia kumtoj lajmin për nanën e tyre të pafajshme”./Express/