×
  • Lajme
  • Front TV
  • Front TV

    Bulliqi: Për 10 muaj do të jem shembull në qeverisje, synoj mandat të plotë në Podujevë

    FrontOnline
    02 Dhjetor 2020

    “Unë nuk kam kandiduar që t’i marrë dhjetë muaj qeverisje. Qëllimi dhe synimi im është që ta marrë mandatin e plotë për qytetarët llapjan”.

    Kështu ka thënë në një intervistë për FrontOnline, kryetari tashmë i zgjedhur në zgjedhjet e së dielës në Komunën  e Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.

    Ai, ka thënë se ka kandiduar për shkak që ka dashur t’u kthehet qytetarëve llapjan dhe të punojë për ta, pasi që siç deklaron në qeverisjen e kaluar ka pasur ndasi të mëdha dhe se qytetarët nuk janë trajtuar barabartë.

    “Ju premtoj atyre që në radhë të parë qytetarët tanë do të trajtohen barabartë jo me ndarje siç ka ndodhë deri tash dhe diferencime në kuptimin politik”, ka deklaruar Bulliqi, për Front Online.

    Në këtë intervistë për Front Online, Bulliqi ka folur edhe për akuzat për uzurpim të pronës e në të cilën ka ndërtuar shtëpi.

    Ka thënë se janë organet e drejtësisë ato që do të vendosin për këtë çështje pa dashur të flas më gjatë.

    Ndërsa, për akuzat që iu ka bërë LDK-së që janë pikërisht këta që kanë uzurpuar prona, Bulliqi ka treguar se si do t’i zgjidhë si kryetar i ardhshëm i kësaj komune këto probleme.

    “Ka mjaft shumë probleme të cilave do t’u qasemi gradualisht dhe besoj që do t’i zgjidhim brenda mundësive që na lejojnë rregullat edhe ligji”, ka deklaruar i pari i Podujevës.

    Bulliqi, ndër të tjera ka përmendur edhe prioritetet për komunën e Podujevës, ndër të cilat ka cekur se do të merret më shumë me shëndetësi, pasi që siç thotë gjendja me shëndetësi në këtë komunë është mjaft e rënduar.

    E për çështjen e presidentit, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron president politik dhe se e vetmja zgjidhej në këtë situatë është shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.

    “Kosovës mendoj që i duhet një president konsensual, i cili del nga bisedimet mes subjekteve politike, një individ i cili është kredibil, i cili ka familje kredibile dhe kredibilitetin e te cilit nuk mund ta cënoj askush”, ka thënë Bulliqi.

    Por, i pyetur se a do ta pranojnë një ftesë nga partitë në pushtet për të diskutuar rreth çështjes së presidentit , ka deklaruar se do ta analizojnë këtë./FrontOnline/

     

    Intervista e plotë e kryetarit të sapo zgjedhur të komunë së Podujevës Shpejtim Bulliqi:

    FrontOnline: Z.Bulliqi, pse vendosët ta lini postin e deputetit për kryetar të Podujevës me një mandat 10 mujor?

    Bulliqi: Ju e dini që unë vij nga Llapi, jam me prejardhje prej atje, ka vite të tëra të paraluftës por edhe të pasluftës që jam marr me Llapin dhe kam punuar relativisht gjatë për atë vend. E ndjej hapësirën në vend timin që për qytetarët e mi sikurse edhe në tërë Kosovën po megjithatë Llapi është më i veçantë për mua dhe duke parë një gjendje jo të mirë që ka mbretëruar për këtë periudhë kohore atje, por edhe në konsulta me subjektin tim politik të cilin e përfaqësoj në bazë të kërkesës së tyre unë vendosa që të kthehem në Llap dhe të ofrohem afër qytetarëve të mi dhe të bëj atë që mundem për me mund këtyre qytetarëve me ua lehtësua jetën edhe mirëqenien e përgjithshme.

     

    Bulliqi: I ndërtova 22 objekte të reja shkollore

    FrontOnline: Ju arritët të fitoni në Podujevë. Cila është arsyeja që llapjanët ju votuan juve e jo kundër kandidatët tuaj ?

    Bulliqi: Shiqoni unë po i dëgjoj shpesh kundër kandidatët e mi ose edhe subjektet tjera politike të cilat po thonë që Bulliqi ka qenë pjesë e asaj qeverisje. Është shumë  e vërtetë që unë kam qenë drejtor i arsimit në Podujevë dhe me punën time dhe me angazhimin tim atje mendoj që kam treguar rezultate të prekshme për qytetarët llapjan, nuk kam qenë prijës i Komunës , kam udhëhequr një resor për të cilin resor mendoj që gjatë punës time dhe angazhimit tim në Llap kam lënë gjurmë të mira dhe në interes të qytetarëve llapjan. Po ju them vetëm një fakt që qytetarët e Llapit e dinë . Gjatë mandatit tim si drejtor i arsimit janë ndërtuar 22 objekte shkollore të reja nga themeli deri në përmbyllje, nuk ka pas asnjë objekt prej 67 objekteve shkollore që i ka pas komuna e Podujevës në atë kohë të cilat nuk janë meremetua dhe fatmirësisht pjesa dërmuese e tyre kanë qenë me donacione nga jashtë. Prandaj ka qenë një periudhë një fazë e pasluftës , një periudhë emergjente me çka unë mendoj që në masën dikund 85 deri në 90 për qind në atë periudhë kohore ka qenë e përmbyllur infrastruktura shkollore . Sigurisht që ka pas vend shumë me u bë edhe në kualitet edhe në cilësi, ngritje të nivelit të mësimdhënies, të mësim nxënies por ka qenë fazë emergjente dhe në një farë forme ato nuk kanë arrit gjatë kësaj faze të avancojnë , kanë mbet të tjerët pas meje, tash 13 vite të cilët kanë punuar dhe kanë vazhduar punën në këtë sektor dhe me ju thënë të drejtën nga ajo që vërehet është një gjendje shumë më e keqe nga ajo që e kam lënë ën periudhën kohore kur unë kam ec nga Podujeva.

    FrontOnline: Ju keni qenë në udhëheqjen komunale vite më parë, cila ka qenë udhëheqja atëherë dhe cila do të jetë kjo sot, nga ju, çka do të dallojë prej atëherë me këtë tash?

    Bulliqi: Në periudhën kur unë kam qenë drejtor i arsimit kam pas kompetenca të plota si drejtor i kësaj drejtorie dhe ne në atë kohë na ka zgjedh Kuvendi komunal, e jo kryetari, çfarë tash bëhet me ligjin e ri për qeverisje lokale. Kur e them këtë, e them për faktin që kompetencat e mia në atë periudhë kohore kanë qenë të gjëra dhe me mundësi veprimi, jo sikur tani çfarë janë kompetencat për drejtor të drejtorive për faktin që llogariten që janë këshilltar të kryetarit dhe drejtpërsëdrejti zgjidhen nga ai dhe nuk ka nevojë që të jetë Kuvendi Komunal. Këtë po e them për faktin që vendimet e mia kanë qenë vendime të shkruara mirë , vendime të matshme dhe vendime të cilat kanë prek interesin e shumicës së qytetarëve llapjan. Prandaj, unë mendoj që edhe për atë periudhë kohore po them kanë mbetur një sërë gjurmësh dhe qytetarët e Llapit e dinë që vendimet e mia janë vendime të prera, vendimet e mia janë relativisht të matura dhe kur merren ato vendimet duhet respektuar dhe e dinë shumë mirë që kam tregu një seriozitet dhe angazhim maksimal për punën që kam bërë gjatë asaj periudhe kohore.

    FrontOnline: Në pika të shkurta a mundesh me na tregu se cilat do të jenë prioritetet për Komunën e Podujevës, kur ta filloni punën si kryetar i kësaj komune?

    Bulliqi: Komuna e Podujevës ka një varg nevojash, por sigurisht që në këtë fazë sepse ju e dini që është periudha e shkurtë kohore, do të thotë do të jetë tetë ose dhjetë mujore përafërsisht deri në zgjedhjet e rregullta. Sigurisht që në këtë fazë duhet të merremi me problemet emergjente me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Ju e dini që ne e kemi shëndetësinë në një gjendje relativisht të rënduar dhe më tepër e kanë rënduar këtë gjendje veprimet e pamatura të udhëheqjes së atëhershme komunale në këtë sektor siç ishte rasti i shkarkimit të drejtorit të drejtorisë, rasti i cili me vite të tëra nuk zgjidhet një drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ose rasti tjetër më eklatant që ishte rrënimi i njërit prej objekteve kryesore të QKMF-së në kohë pandemie. Ne meqë jemi në fazën e pandemisë domosdoshmërish hapin e parë që duhet të marrim janë masa urgjente në QKMF-të për furnizimin e pandërprerë me barna , por edhe materiale të tjera laboratorike të cilat janë imediate për pacientët tanë sidomos për ata të cilët janë të prekur me Covid. Sot po më vijnë informata se që nga dje nuk funksion aparati i rëntgenit që është i vetmi aparat që funksionin në Komunën e Podujevës në sektorin publik dhe ajo është një papërgjegjësi totale që në ketë fazë të pandemisë, kur kërkesat për një aparat të tillë janë shumë të mëdha për qytetarët sidomos për ata të cilët janë të prekur me Covid dhe dmth kjo neglizhencë që tregohet në drejtim të dhënies së ndihmës së qytetarëve. Sigurisht që puna e dytë pas kësaj është ridestinimi i mjeteve nga projektet kapitale për të filluar pa vonës renovimin e disa prej bojkoteve shkollore sidomos disa banjove të cilat janë të nevojshme për fëmijët tanë. Sigurisht në këtë aspekt nevojitet një shumë mjetesh të cilat fatkeqësisht nuk janë të parapara në masën sa janë të nevojshme për shkak që ne e gjejmë një buxhet të miratuar në Kuvendin komunal dhe ai buxhet duket që e ka fatin e shumë buxheteve të pasluftës që pjesa dërmuese e shpenzimeve janë të orientuara në asfalt dhe forma të tjera të shpenzimeve duke i lënë anash resorin e arsimit dhe shëndetësisë por edhe bujqësisë de zhvillimin ekonomik që janë resor të rëndësishëm të cilët duhet stimuluar me mjete shtesë buxhetore. Prandaj besoj që në këtë aspekt duhet ndarë edhe mjete financiare që me mujt me ndihmu mësimin online për nxënësit dhe arsimtarët, sidomos për ata që janë në kushte të vështira ekonomike dhe të cilat nuk mund t’i përballojnë.

    Po, ashtu njëri prej prioriteteve tona do të jetë edhe gjetja e mënyrës për t’i ndihmuar bizneset tona, sepse bizneset tona i ka dëmtuar shumë pandemia dhe një theks i veçantë do tu kushtohet bizneseve të cilat udhëheqjen nga gratë dhe këtyre duhet gjet formë dhe mënyrë se si duhet t’i ndihmojmë që bizneset e tyre të avancojnë. Një tjetër punë që na pret është mbulimi i kostos së barnave përkatësisht i terapisë për familjet me persona të infektuar me Covid-19 të cilët nuk janë të hospitalizuar por shërimin e tyre e kërkojnë brenda familjeve të tyre në mënyrë që ata të kenë një tretman më të mirë dhe të kenë mundësi të kujdesen më mirë për shëndetin e tyre, dhe ajo që mendoj ta realizoj gjatë vitit të ardhshëm është mundësia e shtesave për të porsalindurit.

    FrontOnline: Deri në mbajtjen e  zgjedhjeve të ardhshme lokale janë dikund 10 muaj, a do të kandidoni përsëri për kryetar të Podujevës?

    Bulliqi: Unë nuk kam kandiduar që t’i marrë dhjetë muaj qeverisje . Qëllimi dhe synimi im është që të qeveris mandatin e plotë për qytetarët llapjan. Unë besoj që gjatë kësaj periudhe kohore qytetarët llapjan e din që unë nuk ka me mujt me arrit me bë mrekulli, por ju premtoj atyre që në radhë të parë qytetarët tanë do të trajtohen barabartë jo me ndarje siç ka ndodhë deri tash dhe diferencime në kuptimin politik. Buxheti do të shfrytëzohet në mënyrë transparente dhe çdo qindarkë e këtyre qytetarëve do të dihet se në çfarë destinacioni dhe për çfarë shpenzimi do të shkojë dhe besoj që ajo që është shumë e rëndësishme do të arrijmë ta ndalim korrupsionin që është njëra prej veçorive relativisht të dëmshme të cilat fatkeqësisht e kanë përcjell udhëheqjen e deritanishme që ka qenë në komunën tonë.

     

    Gjykatat do të vendosin për pronën që akuzohem se e kam uzurpuar

     

    FrontOnline: z.Bulliqi keni pasur akuza që keni uzurpuar një pronë dhe ne atë pronë keni ndërtuar një shtëpi, a mund ta dimë saktë çka ka ndodhë?

    Bulliqi: E kam sqaruar tash disa herë këtë çështje . Ajo çështje është e diskutueshme, ata mendojnë që nuk është në rregull. Unë mendoj që është në të drejtën time, dhe kanë vazhduar proceset gjyqësore, janë organet e drejtësisë të cilat do ta thonë fjalën e tyre të fundit.

    FrontOnline: Po, ashtu ju keni thënë se janë personat e LDK-së ata që kanë uzurpuar prona, çka keni me bë ju si kryetar i komunës që me zgjidh këtë problem?

    Bulliqi: Komuna e Podujevës, por jo vetëm Komuna e Podujevës por edhe komunat në përgjithësi kanë probleme të tilla, sepse ju e dini se kadastra është trashëguar me një numër të madh të parregullsive dhe fatkeqësisht sot e kësaj dite ato forma të cilat janë problematike edhe sot e kësaj dite nuk kanë me arrit me u zgjidh në shumicën e komunave të Kosovës . Arsyet tashmë nuk i di ndoshta mbetet në të ardhmen me pa , por unë besoj që komunat si institucione të qeverisjes lokale kanë për obligim me u interesu për çdo gjë që është e tyre dhe duhet parë . Ne kemi aty edhe shumë prona të cilat ndodhen në qendrën e qytetit të Podujevës dhe të cilat kanë problematika diskutabile, madje madje është pengu komplet ndërtimi i palestrës sportive , janë humb dikund dy milionë euro, përkundër faktit që janë lidh kontrata me punekryesit, është humb salla e kulturës e cila po ashtu nuk dihet se cila është situata e saj, është në qendër të qytetit , është filluar të ndërtohet në vitet 80-ta apo 85 tash sot është çështja e saj diskutabile, ka mjaft shumë probleme të cilave do t’u qasemi gradualisht dhe besoj që do t’i zgjidhim brenda mundësive që na lejojnë rregullat edhe ligji.

    Kosovës nuk i duhet një president politik, si Thaçi

    FrontOnline: Po ndalemi pak te situata aktuale aktuale politike në vend. E dimë që Kosova është me ushtruese detyre të presidentes. A do ta pranojë VV-ja një president të zgjedhur pa shkuar vendi në zgjedhje?

    Bulliqi: Ne tashëm disa herë e kemi thënë atë që Kosovës nuk i duhen president politik , çfarë ishte ky i cili tanimë nuk është për faktin që kemi pa që ka qenë njëri prej shkaktarëve të shumë krizave politike që janë shkaktu në vend. Kosovës mendoj që i duhet një president konsensual i cili del nga bisedimet mes subjekteve politike, një individ i cili është kredibil , i cili ka familje kredibile dhe kredibilitetin e te cilit nuk mund ta cënoj askush. Ai do të ishte një president i cili do të përfaqësonte vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj çdo tentativë për të imponuar një president të zarfit ose president çfarë kemi pas deri tash , mendoj që do të jetë e dëmshme dhe nuk do ti kontribuon stabilizimit të proceseve politike në vend.

    FrontOnline: Po, nëse partitë në pushtet ju ftojnë juve si Vetëvendosje me bisedu për me zgjedh një president në bashkëpunim me ju, a do të pranoni një ftesë të tillë?

    Bulliqi: Unë besoj që kur të vjen momenti dhe koha që të futen në këtë proces, unë besoj që ne si subjekt politik do ti analizojmë të gjitha ato dhe do ta japim kontributin tonë ose së paku do ta japim mendimin tonë rreth procesit./FrontOnline/

     

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme18 Nëntor 2024
    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë tashmë një reagim specifik mbi raportimet se është e përfshirë ne skandalet financiare si...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Veprimtari i LDK-së, Halil Geci, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti takim, raporton Gazeta Blic. Këtë e ka bërë përmes një postimi...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Java në vazhdim do të pasohet me ndryshime drastike të motit dhe kushte ekstreme që do të përfshijnë mbase edhe pjesën dërmuese...
    Të tjera
    Vip18 Nëntor 2024
    Një debat i ashpër gjatë vikendit është zhvilluar mes Xuxit, Drenushës, ku më pas u përfshi edhe Vullneti. I gjithë ky debat...
    Sport18 Nëntor 2024
    Kosova ka shënuar fitore ndaj Lituanisë me rezultat 1-0, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Ndeshja...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur sonte akuza të rënda ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti. Ai ashpër ka theksuar se Kurti...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Sot në Prishtinë u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në mesin e shumë...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, sonte ka publikuar emrat e disa anëtarëve të partive si LDK, PDK, por...
    Lajme18 Nëntor 2024
    Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka hapur një tender në vlerë 10 mijë euro për blerje të hapësirës mediale në TV Nacionale....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.