Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se arsyeja që pse ka arritur të fitojë në Podujevë është se në kohën kur ka qenë drejtor i Arsimit në këtë komunë ka treguar rezultate të prekshme për qytetarët llapjan.
Bulliqi: Për 10 muaj do të jem shembull në qeverisje, synoj mandat të plotë në Podujevë
Në një intervistë për FrontOnline, Bulliqi ka deklaruar se gjatë mandatit të tij si drejtor i arsimit ka ndërtuar 22 objekte shkollore të reja.
“Gjatë mandatit tim si drejtor i arsimit janë ndërtuar 22 objekte shkollore të reja nga themeli deri në përmbyllje, nuk ka pas asnjë objekt prej 67 objekteve shkollore që i ka pas komuna e Podujevës në atë kohë të cilat nuk janë meremetua dhe fatmirësisht pjesa dërmuese e tyre kanë qenë me donacione nga jashtë. Prandaj ka qenë një periudhë një fazë e pasluftës , një periudhë emergjente me çka unë mendoj që në masën dikund 85 deri në 90 për qind në atë periudhë kohore ka qenë e përmbyllur infrastruktura shkollore “, ka thënë ai.
Sipas tij, gjendja në arsim prej momenti kur më nuk ka qenë drejtor është shumë më e keqe sesa nga ajo që kur Bulliqi ka qenë drejtor i arsimit.
“Sigurisht që ka pas vend shumë me u bë edhe në kualitet edhe në cilësi, ngritje të nivelit të mësimdhënies, të mësim nxënies por ka qenë fazë emergjente dhe në një farë forme ato nuk kanë arrit gjatë kësaj faze të avancojnë , kanë mbet të tjerët pas meje, tash 13 vite të cilët kanë punuar dhe kanë vazhduar punën në këtë sektor dhe me ju thënë të drejtën nga ajo që vërehet është një gjendje shumë më e keqe nga ajo që e kam lënë në periudhën kohore kur unë kam ec nga Podujeva”, ka deklaruar Bulliqi.