×
  • Lajme
  • Lajme

    Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm

    FrontOnline
    05 Nëntor 2024

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë me radhë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 103-të, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Për Thaçin, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Buja tha se e kishte marrë vesh më vonë që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Për Hashim Thaçin e kam marrë vesh më vonë që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm. Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, tha Buja duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace.

    Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.

    “Realisht e tham më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mujt të bisedoj e që nuk po më kujtohet, ka mujt me e konfirmu zoti Thaçi- në rregull është por që nuk ka qenë urdhër”, tha Buja.

    “Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirrë në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, shtoi ai.

    Sërish prokurori Pace insistoi se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.

    “Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Buja.

    Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.

    “Për momentin nuk është duke m’u kujtu por unë kam kontaktu edhe me vëllain, edhe me Hashim Thaçin kur ka qenë në Zvicër, edhe me Azem Sylën për të cilin në atë kohë kam supozu që është komandant i përgjithshëm”, tha Buja.

    Ai tha se e njeh Hajrush Kurtajn dhe sipas tij ka qenë zëvendëskomandant i Brigadës 162, duke shtuar se nuk i kujtohet se kur e ka marrë këtë pozitë por që mendon se ka qenë fundi i ’98-ës.

    Në librin e tij, Kurtaj kishte shkruar se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Shukri Buja kthehet në Kaçanik për të komunikuar vendimin e Shtabit për emërimin e Agim Bajramit si komandant për njësitin e Kaçanikut.

    “Kam shkuar (në Kaçanik) edhe për punë tjera por edhe për caktimin e Agim Bajramit si komandant i Njësitit. Kur e kemi emëru dikënd i kemi thënë që je emëru nga Shtabi i Përgjithshëm në mënyrë që të kemi hapësirën që të mos keqinterpretohen këto vendime. Por, në fakt, Agim Bajramin e kam përcaktu si komandant të njësitit gueril atje dhe jam thirrë në emër të Shtabit të Përgjithshëm. E di që kam komuniku me Azem Sylën edhe në atë kohë nuk e kemi ditë që është komandant i Përgjithshëm, por unë në kthimin në Kaçanik realisht e kam thanë para njësitit apo 3-4 personave të njësitit- Agim Bajrami je i përcaktum nga Shtabi i Përgjithshëm për ta udhëheq njësitin. Nuk ka pas emërim me shkrim, nuk ka pas urdhër por ka qenë komunikim”, tha Buja.

    Ky komunikim për emërimin e Agim Bajramit, sipas dëshmitarit mund të jetë në qershor apo korrik 1998.

    Si rrjedhojë, libri i Kurtajt u pranua në prova materiale dhe u klasifikua si publik.

    Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari është së bashku me avokatin kujdestar, që është Taulant Hodaj.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Nga Rubrika
    Lajme05 Nëntor 2024
    Dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se ka pasur propagandë ndaj tij se kinse ka ikur nga lufta,...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Ka kaluar një muaj që nga koha kur presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka caktuar datën e zgjedhjeve nacionale në Kosovë. Osmani...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar në katërvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata...
    Të tjera
    Sport05 Nëntor 2024
    Neymar ka ngritur shqetësime tek Al-Hilal pasi u lëndua në ndeshjen e tij të dytë gjatë këtij viti. Sulmuesi brazilian u detyrua...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se janë ndaluar për 48 orë një zyrtar policor dhe një zyrtar doganor në...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale demokratja, Kamala Harris apo...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Ndryshe nga zgjedhjet e para katër viteve, kryeministri Albin Kurti s’ka marrë pozicion publik sa i përket betejës për president në mes...
    Lajme05 Nëntor 2024
    Votuesit në SHBA të martën shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin apo presidenten e tyre të ardhshëm. Zgjedhjet fillimisht...
    Bota/Rajoni05 Nëntor 2024
    Janë hapur vendvotimet në tetë shtete të SHBA-së duke përfshirë ato në Connecticut, New Jersey, New York, New Hampshire dhe Virginia. Edhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.