Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës.
Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Liderët gjithashtu nënshkruan Marrëveshjen për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për Studim në Ballkanin Perëndimor, si dhe miratuan Deklaratën për Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit, e po ashtu edhe Deklaratën mbi Standardet e Shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte Rajonale.
“Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu./Telegrafi/