Ka startuar Copa America ku 10 Kombëtare nga Amerika e Jugut janë në garë për trofeun.
Brazili që është vendi nikoqir i kësaj ngjarje madhore e ka nisur mbarë turneun duke marrë një fitore të lehtë.
Brazilianët kanë fituar takimin e parë me rezultat 3-0 ndaj Kombëtares së Venezuelës.
Vetëm pas 23 minutave lojë vendasit kaluan në epërsi kur realizoi mbrojtësi qendror Marquinhos për 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan edhe 45 minutat e para të ndeshjes.
Brazilianët ishin edhe më kërkues në pjesën e dytë ku shënuan edhe dy gola të tjerë.
Neymar në minutën e 64-të shënoi nga penalltia për 2-0, derisa Gabriel Barbosa u përkujdes për rezultatin përfundimtar 3-0 me golin e shënuar në minutën e 89-të.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar mbrëmë, Kolumbia mposhti Ekuadorin 1-0 falë golit nga Edwin Cardona.
Ndërkohë sonte me fillim nga ora 23:00 me kohën tonë lokale, futbollisti më i mirë në botë Lionel Messi zbret në fushë me Argjentinën e tij për tu përballur me Kilin.