Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i ka akuzuar forcat rebele në rajonin Tigray për masakër ndaj civilëve. Një organizatë ndërkombëtare ka konfirmuar se shumë persona, me gjasë qindra, janë therur ose janë prerë për vdekje.
“Trupat federale etiopine e kanë çliruar pjesën perëndimore të rajonit Tigray në një fitore për civilët e pafajshëm në Mai-Kadra, të cilët u masakruan brutalisht”, tha ai.
Në një deklaratë tjetër, ai tha se janë gjetur trupat e disa ushtarëve, të cilët ishin vrarë përderisa i kishin duart dhe këmbët të lidhura. Zyrtarët në Tigray e kanë mohuar këtë akuzë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Dëshmitarët i fajësuan forcat besnike të Frontit Popullor për Çlirim për vrasjet e së hënës, të cilat fillimisht u raportuan nga organizata “Amnesty International”.
Luftimet mes forcave qeveritare dhe këtij grupi shpërthyen javën e kaluar. Mediet e kanë shumë të vështirë marrjen e informacioneve nga terreni për shkak të mungesës së linjave telefonike dhe internetit.
Mes qeverisë dhe Fronit Popullor për Çlirim ka pasur tensione edhe më parë për rajonin verior të Etiopisë, përfshirë edhe përleshjet ushtarake, ku ka pasur sulme ajrore nga forcat qeveritare.
Organizata “Amnesty International” tha se vrasjet kanë ndodhur në natën e nëntë nëntorit. Ky grup, që merret me të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar, tha se ka konfirmuar që shumë persona, me gjasë qindra, janë vrarë duke u therur ose masaktruar në Mai-Kadra, qytezë në rajonin Tigray.
Kjo organizatë tha se i ka parë dhe vërtetuar fotografitë dhe videot e trupave të shpërndarë në tërë qytezën. Duket se trupat ishin të punëtorëve që nuk janë të përfshirë në konflikt, ndonëse nuk dihet se nga ishin ata.