×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Bota prodhon 57 milionë tonë mbetje plastike çdo vit

    FrontOnline
    04 Shtator 2024

    Bota prodhon 57 milionë tonë mbetje plastike çdo vit dhe i përhap ato nga oqeanet më të thella tek majat e maleve deri në trupin e njeriut, sipas një studimi të ri, sipas të cilit, 2/3 e mbetjeve vijnë nga vendet në zhvillim.

    Janë aq shumë plehra sa mund të mbushej me mbetje plastike parku “Central Park” dhe ndërtesa gjigande “Empire State Building” në Nju Jork, sipas studiuesve të Universitetit “Leeds” në Mbretërinë e Bashkuar.

    Ata ekzaminuan mbetjet e prodhuara në nivel lokal në më shumë se 50,000 qytete dhe qyteza në mbarë botën për një studim që u publikua të mërkurën në revistën “Nature”.

    Studimi ekzaminoi plastikën që shkon në mjedis të hapur, mbetjet jo plastike që shkojnë në vendgrumbullimet e mbetjeve, ose digjen në mënyrën e duhur.

    Për 15 për qind të popullsisë së botës, qeveria dështon në mbledhjen dhe asgjësimin e mbetjeve, thanë autorët e studimit, një arsye kryesore se përse Azia Juglindore dhe Afrika Nën-Sahariane prodhojnë më shumë mbetje plastike. Këtu përfshihet dhe një popullsi prej 255 milionë njerëzish në Indi, thotë studimi.

    Qyteti i Lagosit në Nigeri prodhoi mbetje plastike më shumë se çdo qytet tjetër, sipas autorit të studimit Costas Velis, profesor pranë universitetit “Leeds”.

    Qytetet e tjera me ndotje më të madhe plastike janë Nju Delhi, në Indi, Luanda në Angola, Karaçi në Pakistan dhe Kajro në Egjipt.

    India është e para në botë për prodhimin e mbetjeve plastike, 10.2 milionë tonë në vit, shumë më tepër se dyfishi i vendeve që renditen pas saj, Nigeria dhe Indonezia.

    Kina, shpesh e kritikuar për ndotjen, renditet e katërta, por po bën hapa të jashtëzakonshëm për pakësimin e mbetjeve, tha zoti Velis.

    Vendet e tjera që shkaktojnë ndotje të madhe plastike janë Pakistani, Bangladeshi, Rusia dhe Brazili. Këto tetë vende janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e ndotjes plastike të globit, sipas të dhënave të studimit.

    Sipas studimit, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 90-të për ndotjen plastike me më shumë se 52,500 tonë dhe Mbretëria e Bashkuar renditet e 135-ta me afro 5,100 tonë.

    Studimi përdori inteligjencën artificiale për t’u përqendruar tek mbetjen plastike që u dogjën në mënyrë jo të duhur, rreth 57 për qind e mbetjeve, ose që thjesht u depozituan. Në të dyja rastet, janë mikroplastika tepër të vogla, që e shndërrojnë problemin e ndotjes ujore dhe dëmtimit të jetës nënujore në një kërcënim për shëndetin e njeriut, tha zoti Velis.

    Disa studime këtë vit kanë treguar sa të përhapura janë mikroplastikat në ujin e pijshëm dhe në indet e njerëzve, si zemrat, truri dhe testikujt. Mjekët dhe shkencëtarët janë ende të pasigurt se çfarë nënkupton kjo për sa i përket rrezikut për shëndetin e njeriut.

    “Bomba e madhe me sahat e mikroplastikave janë ato kryesisht në pjesën jugore të globit”, tha zoti Velis. “Tashmë kemi një problem të madh përhapjeje. Ato gjenden në vendet më të largëta … majat e Everestit, në Kanalin Mariana në thellësi të oqeanit, në ajër, në ato që hamë dhe atë që pimë”.

    Ai e cilësoi një “problem të të gjithëve” dhe një problem që do të ndjekë brezat e ardhshëm.

    “Nuk duhet t’ia hedhim fajin, asnjë përgjegjësi, pjesës jugore të globit”, tha zoti Velis. “Dhe nuk duhet të lavdërojmë veten në asnjë mënyrë për atë çfarë bëjmë në pjesën veriore të globit”.

    Është vetëm mungesë burimesh dhe i aftësive të qeverive për të ofruar shërbimet e nevojshme për qytetarët, theksoi zoti Velis.

    Ekspertët e jashtëm shqetësohen se përqëndrimi i studimit tek ndotja, në vend të prodhimit të përgjithshëm, e largon vëmendjen nga industria e plastikës. Prodhimi i plastikës lëshon sasi të mëdha të gazit ndotës që kontribuon për ndryshimet klimatike.

    “E kanë përkufizuar ndotjen nga plastika në një mënyrë shumë më të ngushtë, si thjesht makroplastikë që lihet në mjedis pas konsumatorit, dhe kjo rrezikon që ta heqim përqëndrimin nga pjesa më lart e zinxhirit të ndotjes, dhe të themi se gjithçka që duhet të bëjmë tani është të menaxhojmë mbeturinat më mirë”, tha Neil Tangri, drejtor për shkencën dhe politikat në GAIA, një rrjet global i organizatave aktiviste që punojnë me nismat për mbetjet zero dhe drejtësinë mjedisore. “Është e nevojshme, por nuk është e gjithë historia”.

    Theresa Karlsson, këshilltare shkencore dhe teknike e Rrjetit Ndërkombëtar për Eliminimin e Ndotësve, një tjetër koalicion i organizatave aktiviste për çështjet e mjedisit, shëndetit dhe mbetjeve, e quajti vëllimin e ndotjes të identifikuar nga studimi “alarmues” dhe tha se tregon se sasia e plastikës që prodhohet sot është “e pamenaxhueshme”.

    Por ajo tha se studimi nuk tregon rëndësinë e tregtisë globale të mbetjeve plastike, që i ka detyruar vendet e pasura t’i dërgojnë ato tek vendet e varfëra. Studimi thotë se tregtia e mbetjeve plastike po zvogëlohet, me Kinën që ka ndaluar importet e mbetjeve. Por zonja Karlsson tha se tregtia e përgjithshme e mbeturinave në fakt po rritet dhe ka të ngjarë që të ketë rritje edhe për plastikën. Ajo përmendi eksportet e mbetjeve të BE-së të cilat janë rritur nga 110,000 tonë në vitin 2004, në 1.4 milion tonë në vitin 2021.

    Velis tha se sasia e mbetjeve plastike të tregtuara është e vogël. Kara Lavender Law, profesore e oqeanografisë në Shoqatën e Arsimit për Detin, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, ra dakord, bazuar në prirjet e mbetjeve plastike në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se ky ishte gjithsesi një nga studimet më gjithëpërfshirëse mbi mbetjet plastike.

    Zyrtarët në industrinë e plastikës e vlerësuan studimin.

    “Ky studim nënvizon se mbetjet plastike të pambledhura dhe të pamenaxhuara janë kontributorët më të mëdhenj për ndotjen plastike dhe se dhënia e përparësisë për menaxhimin e mirë të mbetjeve është jetike për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika”, tha në një deklaratë Chris Jahn, nga Këshilli Ndërkombëtar i Shoqatave të Kimisë.

    Kombet e Bashkuara parashikojnë se prodhimi i plastikës ka të ngjarë të rritet nga rreth 440 milionë tonë në vit, në mbi 1,200 milionë tonë dhe se “planeti ynë po mbytet nga plastika”. /VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni14 Janar 2025
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka arritur në Emiratet e Bashkuara Arabe ku ka shkuar me ftesë të presidentit, Sheik Mohammed bin...
    Bota/Rajoni14 Janar 2025
    Në qytetin Los Anxhelos vazhdojnë përpjekjet e ndihmave masive për dhjetëra mijëra banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë evakuuar...
    Bota/Rajoni14 Janar 2025
    Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i...
    Të tjera
    Lajme14 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Debat Plus”, ka theksuar se puna e...
    Lajme14 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Debat Plus”, ka thënë se ngado që...
    Zgjedhjet 202514 Janar 2025
    Kandidati për deputet në  zgjedhjet e 9 shkurtit, Altin Krasniqi nga radhët e Partisë  Demokratike të Kosovës ka njoftuar për takimin e...
    Zgjedhjet 202514 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga PDK-ja, Ferat Shala ka shkruar për takimin me banorët e Shtuticës. Shala thotë se banorët e këtij fshati...
    Zgjedhjet 202514 Janar 2025
    Gazmend Konjufca, familjar i afërt i kryeparlamentarit Glauk Konjofca të Vetëvendosjes, ka vendosur që ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës. Madje ai...
    Zgjedhjet 202514 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Debat Plus”, ka folur edhe për veteranët...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.