I veshur thjesht me një triko gri, Enrique Metinides më çon në apartamentin e tij modest në Mexico City. Tani në të tetëdhjetat e tij, fotoreporteri i dikurshëm, i njohur për imazhet e tij të krimit dhe katastrofës, quhet shpesh si “Weegee” meksikan, sipas analogut të tij amerikan, që bëri emër kur me lentet e tij fiksoi skenat tragjike në New York.
Kam qenë adhurues i tij prej 2003-s, kur e pashë për herë të parë veprën e Metinides gjatë një ekspozite në New York. Imazhet më trazuan, veçmas ai i një gruaje të vdekur që ishte platitur prej një veture, shkruan “The Guardian”, transmeton KOHA.
Siç quhej në një film, Metinides është “njeriu që pa më shumë seç duhej”.
Këtyre ditëve ky kronikan vrasjesh, viktimash, vetëvrasjesh, fundosjesh, përplasjesh të veturave, trenave e aeroplanëve, zjarreve e tërmeteve, rri në shtëpi me një koleksion veturash emergjente, ndonëse lodra.
Ai i ka fotografuar ato, duke i rikrijuar skenat që i kishte kapur gjatë punës.
Metinides ka alamet lodra si këto. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk rri në dhomën e tij të ndenjës. Maska festive mbulojnë njërin mur. Piktura të fotografit dhe tre brezat e pasardhësve të tij qëndrojnë tutje. Figura komike kiç janë lëmsh gjithandej.