Me 6 korrik të këtij viti nga Bordi i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), është shkarkuar nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu.
Arsyet që i ka dhënë Bordi për shkarkimin e Sejdiut kanë qenë të lidhura me raportin e Auditorit të Brendshëm, që ka identifikuar shkelje të shumta përfshirë keqmenaxhimin dhe performancën e dobët.
Por ndryshe nga Bordi, ka vendosur Inspektorati i Punës.
Nga ky institucion është konstatuar se arsyet e Bordit për shkarkimin e Sejdiut kanë qenë të pabaza.
Aty është theksuar se proceset e përshkruara në arsyetimin e vendimit të bordit të SHSKUK-së për shkarkim, nuk janë kompetencë e drejtorit të përgjithshëm.
Kështu nga ky inspektorat është urdhëruar rikthimi i menjëhershëm i Basri Sejdiut në krye të SHSKUK-së.
Por, i njëjti ende nuk ka filluar punën.
Sejdiu në një prononcim për Front Online, ka thënë që Bordi i SHSKUK-së, ende nuk ka marrë vendim për kthimin e tij në punë, edhe pas vendimit të shkallës së dytë.
“Është një vendim i shkallës së dytë, i cili e konfirmon shkallën e parë dhe kanë afat diku tetë ditor për ta zbatuar këtë vendim. Është vendim i ekzekutueshëm, domethënë i Inspektoratit të Punës dhe nëse bëjnë ankesë diku, sipas këtij vendimi dhe avokatëve dhe ekspertëve ligjor që unë i kam konsultuar, nuk kanë të drejtë që ta shtyjnë më shumë këtë çështje”, ka thënë Sejdiu për Front Online.
Sipas tij, Bordi i SHSKUK-së duhet të marr vendim jo më larg se të hënën e javës së ardhshme për rikthimin e tij në punë, në mënyrë që ai të filloj punën sërish në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.
“Ky vendim pritet që të merret të hënën, përkatësisht në javën tjetër. Javën e ardhshme nëse merr vendim Bordi për të më kthyer, nëse nuk merr vendim në një mënyrë ata e përsërisin shkeljen ligjore, sepse në fakt me këto vendime të Inspektoratit ceket se janë shkelur tre Ligje, pra: procedura gjyqësore edhe me shkarkim, kështu që nëse nuk zbatohet ky vendim që është i ekzekutueshëm, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje ligjore të radhës”, ka thënë ndër të tjera ai për Front Online.
Përndryshe, detyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, që nga 6 korriku është duke e ushtruar infektologu Valbon Krasniqi./Front Online/