Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e dytë në përbërjen e re. Nën drejtimin e presidentit Eugen Saraçini, Bordi i FHK-së ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme dhe po ashtu ka diskutuar për zhvillimet e fundit në hendbollin kosovar.
Në mbledhje janë formuar këshillat dhe komisionet e FHK-së për mandatin e ri. Po ashtu Bordi mori vendim që pjesa finale e Kupës së Republikës së Kosovës të organizohet më 19 e 20 maj, e jo gjatë prillit, siç ishte planifikuar më herët, përcjell FrontOnline.
Ndërrimi i terminit është bërë për shkak të ndeshjeve të përfaqësuesen A me Malin e Zi dhe Suedinë.
Bordi ka analizuar ndeshjes e Kombëtares A të hendbollistëve me Rumaninë dhe performancën e angazhimin e lojtarëve. Paraqitjet janë vlerësuar shumë të mira dhe dinjitoze, që i bëjnë nder FHK-së dhe gjithë shtetit të Kosovës. Bordi ka vendosur të shpërblej financiarisht lojtarët e Kosovës A dhe stafin profesional për rezultatet e arritura me Rumaninë, përkatësisht për barazimin në Prishtinë dhe fitoren në Bukuresht.
Kosova A do të ketë përkrahjen maksimale edhe në të ardhmen, ndërsa Bordi ka vendosur që të bëhen përgatitje maksimale sidomos për ndeshjen me Malin e Zi. Rezultati pozitiv me Malin e Zi na dërgon në Evropian.
Është vlerësuar edhe angazhimi dhe paraqitja e përfaqësueses së hendbollisteve në turneun kualifikues për Botëror, të mbajtur muajin e kaluar në Austri.
Përkundër mungesave të rëndësishme, vajzat tona kanë shfaqur vlera dhe kishin paraqitje të mira me Austrinë./FrontOnline/