Ditë më parë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka paralajmëruar një referendum për bashkim me Shqipërinë, nëse nuk plotësohen pikat që iu janë premtuar Kosovës tash e sa kohë, e që kanë mbetur tema të hapura.
Por, deklaratat e liderit të AAK-së, kanë bërë që të ketë reagime edhe nga Rusia. Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një kumtesë, ku deklaratën e Haradinajt e konsideron një provokim.
“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit”, thuhet në reagim.
Ambasada ruse në Tiranë, në reagimin e saj në Facebook, Kosovën e quan një “pseudo-shtet i vetëshpallur”.
“Nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës”, thotë Ambasada ruse.
Lidhur me këtë, shumë komentues, reagimin e Ambasadës e konsiderojnë skandaloz dhe të pamatur.