×
  • Lajme
  • Lajme

    Bojkoti i mediave nga pushteti: 13 organizata globale e rajonale i shkruajnë letër Kurtit

    FrontOnline
    10 Janar 2025

    Trembëdhjetë organizata botërore dhe rajonale, që merren me lirinë e medias, kanë thënë se janë të shqetësuara lidhur me vendimin e fundit të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, për të bojkotuar disa kanale televizive gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, që nis më vonë gjatë kësaj jave.

    Këto organizata kërkuan që Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje të heqin dorë nga vendimi për të bojktuar disa media në Kosovë.

    “Ne e kuptojmë se asnjë arsyetim formal nuk është dhënë ndaj këtyre televizioneve për këtë vendim”, u tha në letrën e hapur dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kreu i LVV-së, nga 13 organizata.

    Një ditë më herët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilësoi këtë vendim si përpjekje për të “minuar rolin e gazetarëve dhe mediave” për ta mbajtur përgjegjëse Lëvizjen e Kurtit “për politikat e saj”.

    “Gjatë katër vjetëve të fundit, si Reagim i Shpejtë për Lirinë e Medias [MFRR] kemi monitoruar nga afër zhvillimet sa i përket lirisë së mediave dhe kemi qenë dëshmitarë të rënies së lirisë së medias në Kosovë. Më 2022, Platforma për Siguri të Gazetarëve i Këshillit të Evropës ka vizituar Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Përderisa është vërejtur pak progres, misioni erdhi në përfundim se ‘retorika toksike dhe fushatat e shpifjeje kundër mediave, financimi joadekuat i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës minojnë progresin’”, u tha në letrën drejtuar Kurtit.

    Organizatat kërkuan që LVV-ja të sigurohet që t’u japë atyre qasje të barabartë në informacionin publik. Ato thanë se të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje që të raportojnë lirshëm dhe drejtë gjatë periudhës zgjedhore.

    “Duke bojkotuar televizionet tradicionale, minohet e drejta e publikut për t’u informuar dhe roli thelbësor i gazetarëve për të promovuar transparencë dhe llogaridhënie”, u tha në letër.

    Organizatat që i shkruan letër të hapur Kurtit
    Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF)

    Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

    Liri e Pakufizuar e Shtypit (FPU)

    Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

    Reporterët pa Kufij (RSF)

    Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi

    SCiDEV Shqipëri

    Nga Lëvizja Vetëvendosje më 9 janar nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar ose mohuar lajmin se kjo parti mëton të bojkotojë disa organizata mediale gjatë fushatës zgjedhore.

    Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, më 9 janar i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi për të bojkotuar disa media nga partia në pushtet, bëhet për “t’i ikur llogaridhënies dhe jo për ndonjë arsye parimore”.

    “Bojkoti është sulm ndaj mediave dhe të drejtës për informim dhe do të ishte mirë që Lëvizja të rishqyrtonte këtë vendim”, deklaroi Kusari.
    Përveç bojkotimit të mediave, organizatat botërore dhe rajonale kujtuan se në Kosovë janë regjistruar raste të sulmeve ndaj gazetarëve.

    Vetëm gjatë vitit 2023, AGK-ja ka regjistruar 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve. Ndërkaq, më 2024, janë regjistruar 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

    “Shumica e këtyre incidenteve përfshijnë sulme verbale nga anëtarët e partisë tuaj, të cilët i kanë cilësuar gazetarët si ‘spiunë serbë’ apo kolaboracionistë dhe i kanë akuzuar ata se ndjekin interesat serbe”, u tha në letrën e hapur.

    Gjendja e lirisë së mediave në Kosovë është përkeqësuar, sipas Indeksit për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij. Më 2024, Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se vitin paraprak.

    Në këtë raport u tha se pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

    Ndërkaq, në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, vitin e kaluar, u citua Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që tha se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”./REL/

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme10 Janar 2025
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka sfiduar me debat kryeministrin Albin Kurti, duke e demantuar për një deklaratë që ky i fundit...
    Lajme10 Janar 2025
    Kryeshefi i QKMF-së, në Prishtinë, Valdet Hashani tregon se moshat më të prekura nga gripi sezonal janë fëmijët të moshuarit dhe personat...
    Lajme10 Janar 2025
    Në Gjykatën Penale në Bruksel është duke vazhduar gjykimi ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e aktivistit kosovar Enver Hadri, 35 vjet...
    Të tjera
    Vip10 Janar 2025
    Të gjithë njëzëri kënduan këngën “Princeshë” të ish- banorit të Big Brother Vip Kosova, Gjesti. Banorët kanë shijuar këngën e Gjestit, dhe...
    Vip10 Janar 2025
    Banorët kanë vazhduar të hedhin dyshime për pëlqimin e Sarës dhe Drilonit. “Ai pasigurinë e ka shpreh prej ditës së parë, por...
    Vip10 Janar 2025
    Sonte ju pret një natë e paharrueshme, pasi Big Brother VIP Kosova 3, do të sjellë një episod eksploziv për gjithë teleshikuesit....
    Zgjedhjet 202510 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sot ka takuar futbollistët e klubit “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Hamza ka premtuar ta rrisë...
    Vip10 Janar 2025
    Ka eskaluar debati mes Drilonit dhe Xhenetës, kur kjo e fundit insistonte se ai nuk sillet mirë me Sarën. “Nuk është trajtim...
    Vip10 Janar 2025
    Drenusha ka debatuar me Sarën me tone të larta, duke i kërkuar ‘llogari’ pse nuk është përgjigjur në pyetjen e publikut. “Gënjeshtare,...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.