Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka reaguar ndaj justifikimit të Kryeministrit Albin Kurti për bisedat telefonike mes Mimoza Kusarit dhe Radoiçiqit, duke e cilësuar si një përpjekje për të mbuluar turpin e pushtetit.
“A nuk është interesante se si fjalori politik ndryshon sipas nevojave të pushtetit? Dje, ‘lufta hibride’ ishte armë kundër UÇK-së, sot është justifikim për miqësi me Serbinë,” shkroi Blaka në Facebook. Ai shtoi se “Kryemashtruesi ynë i dashur, duket se ka harruar që nuk po i flet një klase fillore, por një populli të pjekur që ka parë shumë e di të dallojë dredhinë.”
Zyrtari i AAK-së vuri në dukje se telefonatat me pjesëtarët e Listës së Zezë të SHBA-ve nuk janë thjeshtë “biseda mes partnerësh”, por shkelje e interesave kombëtare.
Blaka kritikoi gjithashtu qëndrimin e Kurtit ndaj popullit, duke iu referuar deklaratës së mëparshme të kryeministrit se 45% e popullsisë janë “analfabetë”. Ai përfundoi duke thënë se “e vetmja gjë hibride këtu është sinqeriteti i atyre që na qeverisin” dhe paralajmëroi se kjo situatë nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë.