×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Bizneset vendore pa ndihmë nga Qeveria| OEK rekomandon subvencionimin e qirasë dhe punëtorëve

    FrontOnline
    19 Mars 2023

    Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbështetjen e sektorit privat, sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), nuk janë të mjaftueshme, veçanërisht nëse merret parasysh situata e vështirë dhe sfidat e njëpasnjëshme me të cilat janë përballur bizneset vendore. Njëjtë mendon edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa.

    Krahas ndryshimit të politikave fiskale e monetare, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe ekonomisti Bellaqa, dhanë edhe disa rekomandime për subvencionimin e bizneseve, të cilat do të ishin ndihmesë e madhe për to.

    Rafuna ka shprehur edhe gatishmërinë për të dhënë ekspertizën e tij në ndërtimin e një pakoje që targeton bizneset në një periudhë afatgjate.
    Sipas tij, bizneset vendore po ndeshen me shumë barriera, jo vetëm të natyrës administrative, e jo vetëm në tregun evropian, por edhe në atë rajonal.

    Rafuna në një bisedë për EO, tha se pritjet për përkrahjen e bizneseve nga Qeverinë kanë qenë të mëdha, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Kryetari i Odës u shpreh se çdo ndihmë nga ekzekutivi do të mirëpritej nga bizneset, posaçërisht në këtë situatë ekonomike.

    “Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Çdo ndihmë që vjen prej institucioneve publike për bizneset është e mirëseardhur, për arsye se ato përballen me shumë sfida, duke filluar me problemet rajonale, siç janë problemet me eksport në Serbi, Maqedoni e Veriut, madje edhe në Shqipëri. Ka barriera të ndryshme, qoftë administrative ose jo administrative, e mos të flasim për Evropë që i kanë një milion probleme. Bizneset tona, përkundër kësaj, janë treguar shumë aktive dhe kanë gjetur një treg, për arsye se tregun tonë e kanë mbuluar me prodhime e tyre. Tani janë në një pikë ku kanë nevojë jo vetëm tregun rajonal por edhe atë evropian e më gjerë”.

    Rafuna përmendi disa masa që do të mund të ndërmerreshin e që do ta ndihmonin sektorin privat, si subvencionimi i interesit të kredisë, subvencionimi i qirasë për bizneset e vogla dhe subvencionimi i fuqisë punëtore.

    “Çdo ndihmë që do të vinte prej ekzekutivit për ta ndihmuar sektorin privat, sikurse subvencionimi i interesit të kredisë ose lirimi tutje, të cilat nuk janë paraparë në paketën e lirimit, pastaj subvencionimi i qirasë për bizneset e vogla edhe subvencionimi i fuqisë punëtore, është e mirëseardhur dhe do të ndikonte për të mirë, në mënyrë që të rritet kapaciteti i tyre prodhues dhe eksporti”.

    E sa i përket shpërndarjes së pakove për rimëkëmbje ekonomike, Rafuna tha se nuk kanë qenë masa stimuluese afatgjate, madje as afatmesme.

    Ai ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në ndërtimin e një pakoje që nuk ndikon vetëm në rritjen e prodhuesve vendor, por edhe në rritjen e investimeve të huaja.

    “Ato kanë qenë pako për një periudhe të caktuar, që kanë ardhur si rezultat i pandemisë ose si rezultat i inflacionit. Nuk kanë qenë masa stimuluese afatgjate, kanë qenë afatshkurta, bile as afatmesme jo. Kërkesa jonë gjithmonë është që të ulemi së bashku e ta ndërtojmë një pako që do të ndikonte jo vetëm në rritjen e prodhuesve vendor që i kemi tani, po edhe në thithjen e investimeve të huaja në Kosovë”.

    Ndërsa, sipas Jakup Bellaqës, njohës i çështjeve ekonomike, arsyeja e mos-përkrahjes së sektorit privat nga Qeveria është sepse partitë e majta merren më shumë më kategoritë sociale.

    Mirëpo, siç tha ai për EO, kjo çështje nuk duhet të shikohet nga këndi i politikave të majta apo të djathta, sepse Kosova ka ekonomi të lirë të tregut e sepse është pikërisht sektori privat ai që ia shton vlerën ekonomisë.

    “Arsyeja se pse nuk po përkrahet sektori privat është sepse zakonisht politikat e majta merren me kategoritë sociale, domethënë si filozofi ekonomike i kanë politikat sociale. Mirëpo sa i përket kësaj çështje, ne si shoqëri, edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, jemi përcaktuar për ekonomi të lirë të tregut. Ekonomia e lirë e tregut nuk ka të bëjë as me politikat e majta apo politikat e djathta, mirëpo duhet që të përkrahet sektori privat”.

    Nga Rubrika
    Ekonomi10 Janar 2025
    Instituti GAP ka publikuar një infografikë me produktet më të eksportuara gjatë viteve 2022-2024. Buzuar në këtë infografikë, më së shumti është...
    Ekonomi10 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 përqind për familjet e kategorive të...
    Artikull i Sponsoruar09 Janar 2025
    BKT Kosova, si një nga bankat më të mëdha komerciale në tregun e Kosovës, lanson produktin e saj të ri të gjelbër...
    Të tjera
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Dyshohet se një 56-vjeçar është vrarë me armë zjarri sonte pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Abcnews.al raporton se personi që dyshohet...
    Lajme12 Janar 2025
    Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur krenarinë dhe optimizmin e tij për tubimin e jashtëzakonshëm të mbajtur...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga Ferizaj, Elmi Reçica, ka shpërndarë një mesazh për të rinjtë ferizajas, të...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur tubim elektoral në Ferizaj. Në këtë tubim pos tjerash mbajti fjalim kryetari i PDK-së, Memli...
    Lajme12 Janar 2025
    Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka komentuar gjithashtu mbi procesin e licencës së avancuar, duke theksuar se ky lloj testimi ka qenë...
    Lajme12 Janar 2025
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet e saj për rizgjedhjen e Presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović. Në një postim në...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.