Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.F., A.P., S.S., L.P., F.H., G.K., F.S., J.GJ., F.K., RR.M., për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, ndërsa të pandehurit F.S., S.F. dhe F.H. secili veç e veç kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve.
Sipas gjykatës, të pandehurve S.F., A.P., S.S., L.P., F.H., G.K., F.S., J.GJ., dhe F.K., gjykata iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, e që paraburgimi iu llogaritet prej kohës së ndalimit me datë 24.03.2021 e deri me datë 23.04.2021, ndërsa kundër të pandehurës RR.M., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, e cila masë do t’i llogaritet duke filluar që nga data 24.03.2021, e deri me datë 23.04.2021.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit dhe e arrestit shtëpiak janë masa adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të të arratisen dhe ti shmangen thirrjeve të Gjykatës dhe Prokurorisë, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, po ashtu po të gjenden të pandehurit në liri, të njëjtit mund të fshehin, ndryshojnë apo të falsifikojnë provat duke ndikuar në bashkëkryerësit dhe në dëshmitarët e mundshëm si dhe të njëjtit mund të ndikojnë në dëmtimin, zhdukjen dhe asgjësimin e provave konkrete”, thuhet në komunikatë.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.