Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me përfaqësues nga Oda Tregtare Kosovaro Turke.
Sipas njoftimit nga Qeveria, në takim u bisedua rreth bashkëpunimit të Kosovës dhe Turqisë në rrafshin ekonomik, rritjen e investimeve të kompanive turke në Kosovë e rritjes së eksporteve të Kosovës në Turqi.
“Më tej, u trajtuan zhvillimi i dyanshëm i turizmit dhe angazhimi i Odës Tregtare Kosovaro Turke në evente të cilat kanë për qëllimin promovimin edhe të shtetit tonë dhe krijimit të urave të bashkëpunimit për bizneset e Turqisë dhe Kosovës”, thuhet në njoftim .
Tutje theksohet se zëvendëskryeministri Bislimi tha se qeveria mbetet e angazhuar në rritjen e mundësive investuese për kompani të huaja në Kosovë dhe lehtësimin e bashkëpunimit, në dritën edhe të punës që po zhvillohet mbi Agjencinë e Investimeve dhe Eksporteve që do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, por edhe atasheve ekonomikë të Kosovës në kryeqendrat kryesore anembanë botës.