Faton Bislimi, aktivist politik në ShBA e ish -deputet i LDK-së, për FrontOnline ka folur rreth dëmtimit që iu ka shkaktuar Kosovës e cila nuk ka asnjë kontratë lobuese në SHBA.
Bislimi e quan mungesë të rëndësishme, kontratat lobuese të Kosovës në SHBA, veçmas në këtë kohë kur SHBA po luan rolin dominant në politikën e jashtme.
‘’Është e vërtetë që Kosova aktualisht nuk ka një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është një mungesë e rëndësishme, sidomos kur marrim parasysh rolin dominant që SHBA-ja luan në skenën ndërkombëare’’ thotë ai.
Ish-deputeti kosovar, thotë se Kosova duhet të rifillojë angazhimin strategjik për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të strukturuara me administratën amerikane.
‘’Kosova duhet të rifillojë angazhimin strategjik për të ndërtuar marrëdhënie të forta dhe të strukturuara me administratën amerikane, e sidomos me Kongresin, për të avancuar interesat e saj dhe për të promovuar stabilitetin rajonal dhe imazhin e vet ndërkombëtar’’ thotë ai.
Bislimi, thotë se Kosova do të duhej të punoj ngushtë me SHBA-në veçmas në këtë periudhë.
Kosova pa kontrata lobimi në SHBA, po humbim mbështetjen karshi Serbisë
‘’Në këtë periudhë, kur ndikimi i SHBA-ve është më i madh se kurrë, është thelbësore që Kosova të punojë ngushtë me partnerët amerikanë për të siguruar mbështetje në fushën e integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe sigurimit të paqes në rajon. Mungesa e një angazhimi thelbësor, të urtë e të mençur, mund të krijojë një hapësirë të pashfrytëzuar për të promovuar interesat e Kosovës dhe për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare.’’ shprehet ai për FrontOnline.
Aktivisti shqiptar në SHBA, tutje shton se Kosova duhet të investojë në përpjekje të strukturuar dhe të vazhdueshme, të angazhojë profesionistë të njohur që kanë mundësi të ndikojnë dhe të forcojë lidhjet me komunitetin politik dhe ekonomik të SHBA-së.
‘’Prandaj, Kosova duhet të investojë në përpjekje të strukturuar dhe të vazhdueshme, të angazhojë profesionistë të njohur që kanë mundësi të ndikojnë dhe të forcojë lidhjet me komunitetin politik dhe ekonomik të SHBA-së. Fundja, ne e dijmë formulën e suksesit nga e cila Kosova historikisht ka përfituar: puna sistematike dhe e sinqertë me liderët e politikës së jashtme amerikane në Kongres, nga të dyja taborret–demokratë e republikanë–gjë që unë personalisht kam pasë fatin ta përjetoj në Washington për mbi dy dekada’’ potencoi ai.
Bislimi shton se prioriteti kryesor tani për klasën politike të Kosovës është qëndrimi unison në politikën e jashtme .‘’Kjo është një mundësi e paçmuar për të garantuar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimet dhe synimet e Kosovës në të ardhmen. Amerika është dhe mbetet aleati dhe partneri ynë i pazëvendësueshëm. Prioritet mbi prioritete tani për klasën tonë politike është qëndrimi unison në politikën e jashtme dhe parimi që mbi gjithëçka tjetër të jetë interesi kombëtar i Kosovës. Kushdo që pretendon se ka ndonjë parim tjetër më të rëndësishëm, nuk e kupton si e sa duhet dinamikën e zhvillineve globale.’’ u shpreh ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi.