Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka kujtuar heroin Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies së tij, duke thënë se ra teksa mbronte shtetin e Republikën tonë.
Ai tha se Afrim Bunjaku ka shërbyer me nder e përkushtim, siç u shpreh ai, deri në vetëflijimin heroik.
“Sulmi paramilitar serb i 24 shtatorit të vitit të kaluar, tentoi të cenonte rendin tonë ligjor e kushtetues, sovranitetin e integritetin territorial”.
“Ky akt agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë sonë, e ku heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë. Shërbeu me nder e përkushtim, deri në vetëflijimin heroik”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, për rrugën e cila mori emrin e heroit Afrim Bunjaku, ai tha se kjo është rruga që na përkujton sakrificën e tij.
“Veprës së tij, i jemi mirënjohës përherë si komb, e për këtë do ta nderojmë për jetë e mot. Emri i tij u ngulit me shkronja të mëdha sot në veriun e vendit tonë, ku përmes vendimit të mbrëmshëm të mbledhjes së 221-të të Qeverisë, në Banjskë të Zveçanit u vendos tabela e rrugës që mban emrin Afrim Bunjaku”.
“Kjo është rruga e Republikës së Kosovës, është rruga e Afrim Bunjakut, rruga e familjes së tij, rruga e të gjithë neve. Është rruga që na përkujton sakrificën e tij, që na udhëheq drejt parimeve të drejta e liridashëse, që na frymëzon për atdhedashuri. Lavdi për Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e Kosovës”, ka shkruar tutje Bislimi.