Gjermania po përgatitet të nisë vaksinimin kundër koronavirusit përpara fundit të vitit, shkruan e përditshmja gjermane Bild.
Ministria e Shëndetësisë planifikon të krijojë 60 qendra të posaçme vaksinimi, për të siguruar që vaksinat mund të ruhen në temperaturën e duhur, dhe u ka kërkuar 16 landeve federale të vendit që t’i japin adresat për to deri më 10 nëntor, raporton Bild, pa cituar burimet e tij.
Në një video-konferencë këtë javë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili edhe vetë është diagnostikuar me koronavirus të mërkurën, ka thënë se kompania BioNTech e Gjermanisë është afër miratimit të vaksinës së saj.
I pyetur se kur i pret vaksinat e para, Spahn ka thënë se, “kjo mund të ndodhë para fundit të vitit”, citon Bild pjesëmarrësit në video-konferencë.
BioNTech po zhvillon vaksinën në partneritet me kompaninë amerikane Pfizer Inc.
Muajin e kaluar, Gjermania ka ndarë 745 milionë dollarë financim për firmat bioteknologjike, BioNTech dhe CureVac, për të shpejtuar punën në vaksinat kundër koronavirusit dhe për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit gjerman, përcjell REL.
Koronavirusi në të gjithë botën ka infektuar mbi 41.6 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 1.1 milion kanë vdekur dhe mbi 28.3 milionë janë shëruar.
Gjermania ka konfirmuar mbi 404,000 raste pozitive dhe më pak se 10,000 viktima.