Janë bërë 4 vite prej se Kosova ka siguruar njohjen e fundit ndërkombëtare, e cila ka ardhur nga shteti i Izraelit. Kjo njëherit ka qenë njohja e fundit për vendin dhe ka ndodhur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Avdullah Hoti, ndërsa asnjë njohje e re nuk ka ndodhur gjatë mandatit 4 vjeçar të Qeverisë “Kurti”.
Përveç mungesës se njohjeve nga shtetet individuale, në mandatin e Qeverisë Kurti, Kosova nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Verën që lamë pas Kosova kishte rast ideal për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës, por vendet anëtare nuk e fundin në agjendë aplikimin e Kosovës.
Gjatë këtij mandatit 4-vjeçar me Ministrinë e Jashtme të Kosovës ka udhëhequr Donika Gërvalla, e cila nuk mbahet mend për suksese në dikasterin që e drejton, përpos skandaleve dhe gafa të vazhdueshme.
Pacolli: Kjo Qeveri ka pasur veç dështime në diplomaci
Ish-kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka kritikuar ashpër Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për dështimet e saj në fushën e diplomacisë, duke theksuar se periudha e qeverisjes së tij ka sjellë pasoja negative për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Në një prononcim për “Front Online”, Pacolli ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si qeveria aktuale ka menaxhuar politikën e jashtme.
“Kjo Qeveri ka pasur vetëm dështime në diplomaci“, tha Pacolli.
Ndërsa kritikon qeverinë aktuale, Pacolli theksoi se funksionimi i shtetit do të vazhdojë pa ndalur, pavarësisht dështimeve të përkohshme.
“Mos harroni se pas largimit të këtyre njerëzve, funksionimi i shtetit do të vazhdojë në të gjitha fushat, përfshirë edhe diplomacinë”, theksoi ai.
Edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Emanuel Demaj, ka dhënë një vlerësim të ashpër për politikën e jashtme të Kosovës gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, duke theksuar se vendi është aktualisht pa një strategji të qëndrueshme dhe efektive në këtë fushë.
Sipas Demajt, një nga arsyet kryesore për këtë gjendje është se politika e jashtme e Kosovës është “cunguar” nga negociatat e dështuara me Serbinë.
Ai nënvizon se marrëveshja e vitit 2023, e cila ka dalë nga negociatat Kurti-Vuçiq, ka kaluar përtej garancive të ofruara me Dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës.
Sa i përket njohjeve, ai shprehu zhgënjim pasi, siç tha, në katër vitet e qeverisjes Kurti, nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të shtuar njohjet ndërkombëtare për Kosovën.
“Ka pasur edhe tentime të çnjohjes nga shtete në Amerikën Latine, por këto janë mundur të kthehen falë ndërhyrjes së SHBA. Në planin e njohjeve kjo qeveri për 4 vite qeverisjeje nuk ka punuar fare në procesin e njohjeve dhe as që është përpjekur të koordinoj në këtë drejtim”, shtoi ai.
Demaj ka hedhur kritika edhe për dështimin për të anëtarësuar Kosovën në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.
“Kjo qeveri ka dështuar të anëtarësoi Kosovën në organizata ndërkombëtare. Dëshmuam dështimin për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kjo qeveri e rrezikoj Kosovën që të largohet nga Procesi i Berlinit, duke u përpjekur të kushtëzoj shtetet si Gjermania, e ka rrënuar Politikën e Jashtme të Kosovës duke e shndërruar atë në pazare popullore me diasporën”, përfundoi ai.
Ish-diplomati: Asnjë sukses nuk e ka diplomacia e Kosovës në katër vitet e fundit
Ish-diplomati Avni Arifi nuk sheh asnjë sukses në politikën e jashtme të udhëhequr nga Qeveria e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.
“Sukseset janë zero. Asnjë sukses nuk e ka diplomacia e Kosovës në 4 vitet e fundit”, shprehet Arifi.
Arifi në një prononcim për “Front Online” thekson se dështimet në diplomaci fillojnë nga mos njohjet për Kosovën e deri tek mos anëtarësimi në KiE.
“Dështimet: -Asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare – Prezantimi i Kosovës si prodhues problemesh e jo zgjidhjesh – Dështim total në sensibilizimin e sulmit terrorist në Banjskë – humoristë jo serioz me ofertën për Zajednicë në Këshill të Evropës”, tha Arifi.
Deputetja e AAK-së: Gërvalla i ka larguar ambasadorët me performancë të mirë
Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, shprehet se me Qeverinë aktuale diplomacia është karakterizuar me skandale të njëpasnjëshme.
Kadrijaj për “Front Online” thotë se Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka larguar ambasadoret për qëllime politike.
“Kjo qeveri e ka karakterizuar edhe diplomacinë me skandale dhe Gërvalla ka përdorur fshesën për qëllime politike duke dashtë të largojë të gjithë ambasadorët me performancë të mirë”, shprehet Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së ka radhitur disa nga dështimet në politikën e jashtme që sipas saj kanë kanë ndodhur.
“Konkurse të paligjshme, emërime, asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata është stopuar rruga e integrimit evropian, sanksionet e BE”, vlerëson Kadrijaj.
Arifi: Dështim kolosal i politikës së Jashtme të Kosovës
Dritëro Arifi, njohësi i integrimeve evropiane vlerëson se me Qeverinë ‘Kurti’ asnjë rezultat s’ka pasur në politikën e jashtme brenda katër viteve.
Arifi për “Front Online” deklaron se përveç vizitave jashtë vendit, sukses tjetër s’ka pushteti aktual.
“Diplomacia matet me rezultate konkrete dhe nuk ka pas përveç vizitave as njohje as rezultate konkrete dhe as anëtarësim në organizata”, deklaroi Arifi.
Ai e vlerëson si dështim kolosal, udhëheqjen e pushtetit të udhëhequr nga Kurti në diplomacinë kosovare.
“Jemi nën sanksione, Kurti po anashkalohet nga vendet kryesore të BE dhe SHBA po anashkalohet në mënyrë diplomatike që ta kuptojë që edhe ai është i atakuar nga këto sanksione. Politika e jashtme e Qeverisë për katër vite është dështim kolosal”, përfundoi Arifi për “Front Online”.