×
  • Lajme
  • Lajme

    Bien drastikisht të hyrat nga tatimi në pronë/ Qytetarët nuk po i paguajnë faturat e shtrenjta, Komunat në minus

    Arbnor BUZHALA
    26 Dhjetor 2024

    Mesatarisht për rreth 35 për qind u kanë rënë Komunave të Kosovës të hyrat nga tatimi në pronë gjatë këtij viti. Kjo pasi që qytetarët nuk po i paguajnë faturat e shtrenjta, pas vendimit të Ministrisë së Financave që të shtrenjtohet ky tatim.

    Sipas raportit nëntë mujor të buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave gjatë periudhës janar-shtator 2024 gjitha Komunat e Kosovës kanë inkasuar mbi 25 milionë euro nga tatimi në pronë, apo rreth 14 milionë euro më pak se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar raporton portali Front Online.

    Komunës së Hanit të Elezit të hyrat nga tatimi në pronë sivjet i kanë rënë për 61%, 49 për qind i kanë rënë Komunës së Vitisë, 44% Ferizajt, 59 për qind Drenasit. Edhe Komunës së Podujevës të hyrat nga tatimi në pronë i kanë rënë për 59 për qind, 39 për qind i kanë rënë Prishtinës, po aq edhe Komunës së Shtimes, etj.

    Disa kryetarë kanë akuzuar qeveritë e kaluara për këtë dështim, ndërsa të tjerë e fajësojnë qeverinë aktuale. Megjithatë, ka komuna që përpiqen të shmangin akuzat dhe fokusohen te përpjekjet për të bindur qytetarët të paguajnë tatimin në pronë.

    Sipas njohësve të ekonomisë, kjo ulje e të hyrave ka krijuar pengesa të mëdha për realizimin e planeve dhe projekteve komunale, duke i vënë në vështirësi kryetarët komunalë e që kjo ndikon direkt edhe tek qytetarët.

     

    I ra tatimi në pronë për 59%, Bulliqi i Podujevës fajëson qeveritë e kaluara

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për FrontOnline, ka komentuar rënien e të hyrave të Komunës të cilën ai e udhëheq nga tatimi në pronë, duke e lidhur këtë situatë me vendimin për faljen e borxheve deri në shumën 100 euro.

    ‘’Problemi është tek falësi i borxheve të shumës prej 100 eurove. Ky është faktori kyç që ka ndodhë në këtë proces dhe neve si Komunë na ka zvogëluar të hyrat vetanake dhe po shpresojmë që viteve në vijim do të bëhet një lloj i kompensimeve’’, tha  Bulliqi për FrontOnline.

    Bulliqi shtoi se  ishte një vendim i qeverive të kaluara, që sjelli pasojë e i cili vitin e kaluar ishte paraparë të hynte në fuqi, por që më vonë pësoi ndryshime.

    ‘’Një vendim i cili ka ndodh nga qeveritë e mëhershme i cili vitin e kaluar kur është dashtë të futet në fuqi dhe ne e pamë që ato pësuan ndryshime dhe kjo ishte vendim dhe në suaza të kuvendit komunal është marrë një vendim për lirimin e të gjithë atyre që kanë shumën nën 100 euro nga ky tatim dhe kjo ka ndikuar’’ u shpreh Bulliqi për FrontOnline.

    Komuna e Podujevës, gjatë vitit 2022 kishte pasur 420 mijë euro të hyra nga tatimi në pronë, në vitin 2023 ka pasur 520 mijë, derisa në vitin 2024 ka pasur 240 mijë euro të hyra të tatimit në pronë, apo në përqindje i bie 59% më pak për periudhën 2024/2023, duke e bërë që kjo komunë të ketë dështim në mbledhjen e të hyrave të tatimit në pronë, dhe ndër komunat me uljen me të vogël të humbjes të mbledhjes së të hyrave nga tatimi në pronë

     

    Suhareka me përgjysmim të të hyrave nga tatimi në pronë, Muharremaj thotë se kanë tejkaluar të hyrat në tetor

    Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, për FrontOnline, ka folur për ecurinë e mbledhjes së të hyrave në komunën e tij, duke theksuar se qytetarët kanë paguar tatimet dhe se plani i të hyrave është realizuar me sukses.

    ‘’Qytetarët e kanë paguar dhe të hyrat i kemi planifikuar dhe kryer për këtë vit në muajin tetor dhe kemi aprovuar planin për 10 muaj atë qe e kemi falë e kemi falë në asamblenë komunale prej një vendimi që ka kaluar me shumicën e asamblistëve dhe e kemi falur për një vit për ekonominë familjare nga 100 euro.’’ tha Muharremaj.

    Megjithatë, Muharremaj, theksoi se është ende herët për të dhënë një vlerësim të plotë, pasi analiza përfundimtare do të bëhet në fund të vitit.

    “Nuk mund të themi asgjë derisa ne i kemi tejkaluar të hyrat e muajit tetor, nuk mundëm të them asgjë deri të bëhet analiza në fund të vitit,” shtoi ai.

    Sipas kryetarit të Suharekës, kjo analizë do të japë një pasqyrë më të qartë për rezultatet e mbledhjes së të hyrave dhe masave të marra gjatë vitit.

    Komuna e Suharekës, gjatë vitit 2022 kishte pasur 730 mijë euro të hyra nga tatimi në pronë, në vitin 2023 ka pasur 900 mijë, derisa në vitin 2024 ka pasur 500 mijë euro të hyra të tatimit në pronë, apo në përqindje i bie 50% më pak për periudhën 2024/2023.

     

    Kryetari i Malishevës tregon se si arriti të i bindë qytetarët ta paguajnë tatimin në pronë

    Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, për FrontOnline, ka thënë se bashkëpunimi që ai ka pasur me qytetarët e Malishevës, ka qenë kyç në realizimin e pagesës nga ana e qytetarëve, veçanërisht në pagesën e tatimit në pronë.

     ‘’Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që kemi pas me qytetarët gjatë këtij viti dhe mandati dhe duke i parë qytetarët investimet korrekte dhe me prioritet i kanë përmbushur obligimet ligjore duke e paguar tatimin në pronë’’ tha ai.

    Ai gjithashtu shtoi se kjo bashkëpunim ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e borxhit publik të qytetarëve lidhur me tatimin në pronë.

    ‘’Prej bashkëpunimit me ta kemi arritur që në këtë përqindje ta heqim borxhin publik nga qytetarët që ka të bëjë me tatimin në pronë’’ u shpreh Kastrati.

    Kujtojmë se Komuna e Malishevës, gjatë vitit 2022 kishte pasur 290 mijë euro të hyra nga tatimi në pronë, në vitin 2023 ka pasur 590 mijë, derisa në vitin 2024 ka pasur 560 mijë euro të hyra të tatimit në pronë, apo në përqindje i bie 5% më shumë për periudhën 2024/2023, duke e bërë që kjo komunë të ketë sukses në mbledhjen e të hyrave të tatimit në pronë.

     

    Ibrahimi  i AKK-së: Fajin e ka ministri Hekuran Murati

    Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për FrontOnline, ka komentuar mbi situatën me mbledhjen e tatimit në pronë, duke theksuar se kjo ka pësuar një rënie të ndjeshme për shkak të ligjit të ri të miratuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Sipas tij, një nga arsyet kryesore të këtij problem ka të bëjë me “faturimin jashtëzakonisht të lartë pas rivlerësimit të pronave,” çka ka çuar në një ulje të të hyrave të komunave nga tatimi në pronë.

    ‘’Mbledhja e tatimit në pronë ka rënë për shkak të ligjit të ri, të cilin e ka miratuar ministri i financave, Hekuran Murati. Në një problemi është se janë ngritur faturat jashtëzakonisht shumë, i kanë ngritë faturat pas rivlerësimit të pronave, për mos realizim të hyrave të tatimit në pronë.’’ thotë Ibrahimi.

    Ibrahim gjithashtu theksoi se disa Komuna kanë marrë vendim për falje deri në 100 euro për tatimin në pronë.

    ‘’Tjetra është se disa komuna kanë marr vendim për falje deri në 100 euro në pronë. Paramendoni të i kishte ngritur faturat për pronar biznesore në vitin e ardhshëm çka kishte ndodhur, me automatizëm këto komuna po dëmtohen’,’ shtoi ai

    Një tjetër problem që  Ibrahimi përmendi është mungesa e konsultimeve të nivelit qendror me ato lokal.

    “Po shihet si konkluzë se mos konsultimet me nivelin qendror kanë pasoja të drejtpërdrejta në nivelin lokal” tha Ibrahimi.

    Ai theksoi se amendamentimi i ligjit për tatimin në pronë, pa një konsultim të mjaftueshëm me komunat, ka sjellë një rënie të të hyrave për ato, duke e vështirësuar realizimin e projekteve dhe investimeve të rëndësishme për qytetarët.

    ‘’Pikërisht dhe gjithçka ka ndikuar amendamentimi i ligjit për tatimin në pronë, pa konsulta me komuna, ka ndiku që komunat të kenë më pak të hyra. Kjo e dëmton qytetarin në mënyrë të drejtëpërdrejt, sepse ato të hyra ishin përkthyer në investime kapitale’’ përfundoi i pari i AKK-së.

     

     Muhaxheri: VV-ja i fitoi veç 4 Komuna, po ua vështirëson punën dhjetëra Komunave tjera

    Njohës i ekonomisë, Arton Muhaxheri ,  për FrontOnline, ka folur për situatën e komunave pas rënies së të hyrave nga tatimi në pronë, duke theksuar se kjo është një goditje e rëndë për pushtetin vendor.

    ‘’Rënia e të ardhurave nga tatimi në pronë është një goditje e rëndë për komunat dhe jo vetëm sepse ato tregojnë qartë dështimin e qeverisë qendrore për të siguruar një sistem të drejtë dhe funksional të financimit lokal. Tatimi në pronë është prej burimeve thelbësore për komunat, dhe dobësimi i tij bënë që pushteti vendor të duket i paaftë për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve’’, thotë ai.

    Muhaxheri gjithashtu ka theksuar se kryetarët e komunave po paguajnë çmimin politik dhe social të politikave të dështuara të qeverisë qendrore, duke shtuar se në mungesë të burimeve të mjaftueshme, ata po përballen me mungesa financiare që i detyrojnë të reduktojnë investimet dhe shërbimet, duke lënë qytetarët të pakënaqur.

    ‘’Kryetarët e komunave po paguajnë çmimin politik dhe social të politikave të dështuara të qeverisë qendrore. Pra në mungesë të burime të mjaftueshme, ata po përballen me mungesa financiare që i detyrojnë të reduktojnë investimet dhe shërbimet, duke lënë qytetarët të pakënaqur. Arsyeja pse po ndodh kjo mund të jetë edhe qëllim kryesor i qeverisë që ti bëjë kryetarët e komunave të duken të pafuqishëm, kjo mund të dëshmohet edhe me mos angazhimi i qeverisë qendrore për të garantuar një model të drejtë financiar.’’ shtoi Muhaxheri.

    Ai ka fajësuar qeverinë qendrore si fajtor kryesor për këtë situatë, duke e quajtur dështim të saj moshartimin dhe moszbatimin e politikave fiskale të qëndrueshme.

    ‘’Fajtor kryesor për këtë situatë është konsideroj që është qeveria qendrore, e cila ka dështuar të hartojë dhe zbatojë politika fiskale të qëndrueshme. Zhvlerësimi i tatimit në pronë është një shembull konkret i mungesës së vullnetit politik për të fuqizuar komunat. Në vend që të garantojë burime të qëndrueshme financiare për pushtetin vendor, qeveria qendrore po e dobëson atë, duke krijuar varësi dhe duke i bërë komunat të mos jenë në gjendje të përmbushin nevojat e qytetarëve.’’ deklaroj tutje ai.

    Njohësi i ekonomisë, theksoi se VV duke qenë se partia që ka fituar vetëm katër komuna, ajo është duke u kujdesur që t’ua vështirësojë punën komunave të tjera, duke krijuar një situatë të pasigurisë financiare për shumë pushtete lokale.

    ‘’Duke qenë se partia në pushtet ka fituar vetëm katër komuna, ajo është duke u kujdesur që të ua veshtirësoj punen komunave tjera.’’ përfundoi Muhaxheri.

     

    Nga Rubrika
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka lavdëruar mekanizmat ligjor që sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Kosova duhet të krenohet...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Ditën e premtë, vransirat pritet të shpërndahen në pjesën më të madhe të vendit, ku do të ketë intervale më të gjata...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Hysni Gucati në emisionin Frontal në T7 ka treguar se ai ka pasur informacione se do të arrestohet brenda shtatorit Specialja. Gucati...
    Të tjera
    Vip26 Dhjetor 2024
    Banorja e shtëpisë më të madhe në vend, Xheneta ka lëshuar sot ‘bombën’. Ajo ia tregoi Gjestit planin e saj për ta...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar 25 mijë euro që të dyshuarit kanë marrë duke keqpërdorur detyrën zyrtare kanë...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Komuna e Drenasit ka arritur sukses duke u shpallur zyrtarisht kampione e Performancës Komunale për të gjashtën herë radhazi, me një rezultat...
    Bota/Rajoni26 Dhjetor 2024
    Të paktën tre persona kanë humbur jetën në një aksident autobusi në Norvegji. Aksidenti ndodhi në distriktin Hadsel, në bregun veriperëndimor të...
    Sport26 Dhjetor 2024
    Ylli i West Ham-it, Lukasz Fabianski, u nxor nga fusha me barelë në skena shqetësuese pasi pësoi një dëmtim në kokë. Portieri...
    Bota/Rajoni26 Dhjetor 2024
    Festat e fundvitit kanë sjellë trafik kilometrik në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Në rreth-rrotullimin e Bradasheshit dhjetëra automjete janë bllokuar në radhë, transmeton...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.