Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të hënën i uroi Presidentin e zgjedhur dhe Nënpresidenten e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe Kamala harris, për fitoren e tyre në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
“Sekretari i Përgjithshëm e uron popullin amerikan për një ushtrim kumbues të demokracisë në zgjedhjet e vendit të tyre javën e kaluar”, tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, përmes një deklarate.
“Ai i uron Presidentin e zgjedhur dhe Nënpresidenten e zgjedhur dhe rithekson që bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara është shtyllë jetike e bashkëpunimit ndërkombëtar që nevojitet për t’i adresuar ndryshimet dramatike me të cilat sot po përballet bota”, thuhet më tej në deklaratë.
Të shtunë, Joe Biden e kaloi shifrën prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për t’i fituar zgjedhjet dhe e shpalli fitoren. Ai tash për tash ka 290 vota në këtë organ, shkruan Anadolu.
Në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pjesëmarrja e amerikanëve në votime ishte më e larta në 50 vjetët e fundit pasi 62 për qind e personave me të drejtë vote morën pjesë në këtë proces.