Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se amerikanët nuk do të detyrohen për ta marrë vaksinën kundër koronavirusit, kur një e tillë të jetë e gatshme në këtë vend.
Sipas tij, nuk është e nevojshme që vaksina kundër koronavirusit të bëhet e obligjueshme, por tha se do t’i nxisë njerëzit për ta bërë gjënë e duhur. “Do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim si president për t’i inkurajuar njerëzit për ta bërë gjënë e duhur dhe kur ta bëjnë këtë, të tregojmë se kjo ka peshë”, tha ai.
Deklarata e Bidenit erdhi pasi Qendra për Kontrollimin e Sëmundjeve bëri thirrje për herë të parë për përdorim të përgjithshëm të maskave në mjedise të mbyllura, përpos rasteve kur njerëzit janë në shtëpitë e tyre.
Sipas këtij institucioni, Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fazën e përhapjes së lartë të virusit. Të premten, Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 2.500 të vdekur dhe gati 225 mijë raste të reja infeksionesh për një ditë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Presidenti i ri, i cili pritet ta fillojë punën zyrtarisht nga 20 janari, gjithashtu tha se ceremonia e inaugurimit të tij do të jetë më e vogël dhe pa grumbull të madh të njerëzve, siç ndodh tradicionalisht, dhe këtë vendim e ka marrë për shkak të rrezikut nga virusi.
Përpos kërkesës për vaksinim, Bideni gjithashtu u ka bërë thirrje amerikanëve që t’i përdorin maskat gjatë 100 ditëve të para të mandatit të tij, duke thënë se ky veprim do ta zvogëlonte numrin e viktimave të pandemisë.