Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shkuar në vendlindjen e tij, Scranton të Pensilvanisë, në ditën kur miliona amerikanë po votojnë për kreun e ardhshëm të shtetit më të fuqishëm në botë.
Me maskë në fytyrë dhe duke përdorur altoparlant, para një grupi të përkrahësve ish-nënpresidenti amerikan tha: “Është mirë të jesh në shtëpi”.
Ai i theksoi lidhjet me qytezën e lindjes, duke thënë se ka shkuar aty çdo verë edhe pasi ishte zhvendosur kur ishte fëmijë dhe se dasmën e parë e ka bërë në atë vend, shkruan BBC.
“Ne duhet ta kthejmë shtyllën e këtij vendi. Klasa e mesme e ndërtoi këtë vend, jo Wall Street”, shtoi Bideni.
Ish-nënpresidenti amerikan tha se ndihet i frymëzuar për të garuar si president nga skenat e protestave të së djathtës ekstreme dhe e përsëriti zotimin e tij zgjedhor për ta bashkuar ShBA-në dhe popullin e saj.
Pensilvania llogaritet si një ndër shtetet më të rëndësishme për ta përcaktuar fitimin e zgjedhjeve dhe ndonëse Bideni ka epërsi në sondazhe, zyrtarët e fushatës së tij janë të vetëdijshëm se Trumpi kishte arritur të fitojë aty në zgjedhjet e vitit 2016 me vetëm 0.7 për qind epërsi.