Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, ka prezantuar zyrtarisht njerëzit e parë që ai i ka zgjedhur për kabinetin e tij, derisa pritet të ndodhë tranzicioni i pushtetit.
Nëse konfirmohet, Avril Haines do të jetë gruaja e parë që do të bëhet Drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare, derisa Alejandro Mayorkas do të bëhet personi i parë latin që merr postin e të parit të Sigurisë Kombëtare.
Ekipi do të ndihmojë në miratimin e një agjende që reflekton që “Amerika është kthyer, e gatshme për të udhëhequr botën”, kathënë Biden.
Joe Biden ka prezantuar gjashtë figurat kryesore të ekipit të tij:
Antony Blinken – Sekretar i Shtetit. Biden ka thënë se diplomati veteran do të jetë “i gatshëm që në ditën e parë”.
John Kerry – I Dërguar për Ndryshimet Klimatike. Ai ishte një nga hartuesit kryësor të Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike, nga e cila presidenti Trump është tërhequr. Kerri ka thënë se bota “duhet të bashkohet për t’i dhënë fund krizës klimatike”
Avril Haines – Drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare. Biden ka thënë “kam zgjedhur një profesioniste…një avokate të ashpër për të thënë të vërtetën”.
Alejandro Mayorkas – Sekretar për Sigurinë Kombëtare. Biden ka thënë se kjo është “një nga punët më të vështira në qeveri” dhe Mayorkas do të luajë një rol kritik në “rregullimin e sistemit jofunksional të migrimit”.
Jake Sullivan – Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Biden e ka quajtur “një nga këshilltarët më të besuar” në fushatën zgjedhore
Linda Thomas-Greenfield – Ambasadore e SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Një “diplomate me përvojë dhe e dalluar” që i “trajton të gjithë me dinjitet dhe respekt”, ka thënë Biden.
Ky prezantim vjen pasi presidenti Donald Trump është pajtuar që të nisë procesi për ndërrimin e administratës.
Megjithatë, ai akoma refuzon ta pranojë humbjen. Ai ka thënë se Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, që e mbikëqyr dorëzimin e detyrës, duhet të “bëjë atë që duhet bërë”, por vazhdon të përsërisë pretendimet e pabazuara se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin “të manipuluara”.
Biden parashikohet ta mund Trump me 306 vota kundrejt 232 votave në Kolegjin Elektoral në SHBA që më 14 dhjetor do të mblidhet për ta konfirmuar zyrtarisht fituesin e zgjedhjeve presidenciale. Kjo është shumë më shumë se 270 votat elektorale që i duheshin kandidatëve për fitore.