Votimet në Amerikë ka kohë që janë mbyllur.
Megjithatë, as amerikanët e as askush tjetër, nuk e di akoma se kush do të ulet në karrigen presidenciale të Shtëpisë së Bardhë.
Gara mes dy kandidatëve, republikanit Donald Trump dhe demokratit Joe Biden, është tepër e ngushtë.
Tabori i këtij të fundit prin me 238 vota elektorale kundrejt atij të Trump që ka 213.
Por këto rezultate mund të ndryshojnë nga momenti në moment, meqë beteja zgjedhore në shtetet që përcaktojnë fituesin nuk ka përfunduar akoma.
Bideni e përmbysi rezultatin që nxirrte fitues Trumpin në Michigan, shtetin që ka 16 vota elektorale dhe tash ka një avantazh të lehtë ndaj tij, kur janë numëruar 96 % e votave këtu.
Edhe në shtetin tjetër Nevada që siguron 6 vota elektorale, demokrati e ka një epërsi të lehtë karshi republikanit. Por këtu ka akoma shumë vota për t`u numëruar.
Rreptë, gara, po shkon edhe në dy shtete të mëdha amerikane.
Në Winskonsi për një nuancë më i mirë se rivali i tij është Biden. Pak votat kanë mbetur të numërohen për të ditur nëse do të shkojnë për të apo Trump 10 votat elektorale të këtushme.
E në shtetin tjetër, Pensilvaninë e famshme, garën për të siguruar +20 ulëse të kolegjit zgjedhor e kryeson Trump. Këtu, ky është shumë më përpara se kundërkandidati i tij Biden. Por, dallimi i madh në % mes tyre mund të zvogëlohet meqë s`janë numëruar edhe 36 % e votave.
Republikani kaq diferencë nuk ka në dy shtetet e tjera, Gjeorgji e Karolinën e Veriut, edhe pse prin në to shumë ngushtë para kundërshtarit të tij demokrat kur janë numëruar 94 % e votave.
Kandidati që fiton të dy këto vende merr gjithsej 31 vota elektorale dhe bën një hap të madh drejt marrjes së lidershipit amerikan.
Ndryshe, për t`u zgjedhur President, një kandidati i duhen 270 vota elektorale.