×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Biden afër për t’u bërë president, fiton në shtetet vendimtare

    FrontOnline
    06 Nëntor 2020

    Demokrati Joe Biden është vënë të premten buzë fitores në betejën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ka thelluar epërsinë e tij kundruall presidentit Donald Trump në shtetet vendimtare të Pennsylvanias dhe Georgias tri ditë pas votimeve.

    Bideni mban epërsinë me 264 votat e Kolegjit Elektoral dhe në rast se i siguron edhe 20 votat e elektorëve në Pennsylvania, ish-nënpresidenti amerikan merr më shumë se 270 vota elektorale që i duhen për ta siguruar presidencën. Ai mund t’i fitojë zgjedhjet edhe në rast se i merr dy prej tri shteteve të tjera kyç të garës, ku të premten ka kaluar në epërsi ndaj Trumpit: Georgian, Arizonan dhe Nevadan. Njëjtë sikurse Pennsylvania, që të tria këto shtete janë ende duke i numëruar votat.

    Ndërkohë, Trumpi ka shfaqur shenja të pakta të gatishmërisë për pranimin e disfatës së mundshme, duke bërë të qartë nëpërmjet një deklarate, të premten, se do të vazhdojë të insistojë në pretendimin e tij të paqëndrueshëm për mashtrim me vota.

    “Që nga fillimi kemi thënë se të gjitha vota ligjore duhet të numërohen dhe të gjitha votat e paligjshme nuk duhet të numërohen, megjithëkëtë jemi ballafaquar me rezistencën e demokratëve në këtë parim thelbësor”, ka thënë ai nëpërmjet një deklarate të publikuar nga fushata e tij. “Do ta ndjekim këtë proces nëpërmjet çdo aspekti ligjor, për të garantuar që populli amerikan të ketë besim në Qeverinë tonë”, ka thënë Trump.

    Deklarata u publikua një ditë pasi që Trumpi, në cilësinë e një presidenti në detyrë, e ndërmori një sulm të jashtëzakonshëm ndaj procesit demokratit, duke dalë të enjten mbrëma para Shtëpisë së Bardhë për të adresuar pretendime të paqena se zgjedhjet “i janë vjedhur”.

    Si në Pennsylvania, ashtu edhe në Georgia, Bideni ka përmbysur epërsinë e Trumpit derisa zyrtarët kanë numëruar me mijëra votat me postë që janë dhënë në vatrat urbane tradicionalisht demokrate, si Philadelphia dhe Atlanta.

    Numri i madh i votave të dhëna nëpërmjet rrugëve postare ka ngadalësuar procesin e numërimit në një sërë shtetesh, në një rikujtues të ri se pandemia do të mbetet sfida më e madhe e presidentit të ardhshëm amerikan.

    Proceset gjyqësore

    Me qindra demokratë janë mbledhur para një qendre të numërimit të votave në Philadephia, duke bartur kanotiere të verdha në të cilat shkruan “Count Every Vote” (Numëroni secilën votë). Në Detroid, një turmë e mbështetësve të Trumpit, disa prej të cilëve të armatosur, kanë protestuar përpara një qendre të numërimit, duke valuar flamuj dhe duke bërtitur: “Luftoni!”.

    Një shenjë e dorëheqjes së zymtë është shpalosur të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti ishte parë duke i monitoruar televizionet dhe duke biseduar me këshilltarët e tij në telefon. Një këshilltar ka thënë se është e qartë që gara po ecën kundër Trumpit, por ka shtuar se Trumpi nuk është i gatshëm që ta pranojë disfatën.

    Fushata e tij është duke e ndjekur shtegun e proceseve gjyqësore përgjatë shteteve vendimtare, por ekspertët ligjorë i kanë përshkruar ato si veprime që nuk mund të kenë sukses në përmbysjen e rezultatit zgjedhor.

    Këshilltari i përgjithshëm i fushatës, Matt Morgan, ka vlerësuar nëpërmjet një deklarate të premten se zgjedhjet në Georgia, Nevada dhe Pennsylvania janë shënuar me parregullsi dhe se Trumpi në fund të fundit do të ngadhënjejë në Arizona. Ai ka thënë gjithashtu se fushata pritet që të kërkojë rinumërim në Georgia, siç ka pretenduar se do të bëjë edhe në Wisconsin, ku Bideni ka fituar mbi 20.000 vota më shumë sesa Trumpi. Një margjinë kaq e thellë kurrë më herët nuk është kontestuar për rinumërim, kanë treguar të dhënat e “Ediscon Research”.

    Zyrtarët në shtetin e Georgias kanë njoftuar se presin rinumërim, i cili mund të kërkohet nga një kandidat po qe se dallimi përfundimtar në vota është më i vogël se 0.5 për qind, siç aktualisht është.

    Bideni është shprehur i bindur të enjten se do të fitojë në zgjedhje dhe u ka kërkuar amerikanëve që të jenë të duruar. Duke iu përgjigjur idesë se Trumpi mund të mos i bindet rezultatit, zëdhënësi i Bidenit, Andrew Bates, ka thënë se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht mirë e pajisur për t’i shoqëruar shkelësit jashtë Shtëpisë së Bardhë”.

    Vrulli i Bidenit

    Rezultatet e ngushta të zgjedhjeve kanë shpërfaqur ndasitë e thella politike të vendit dhe në rast se Bideni fiton, atëherë ai do të përballet me detyrën e vështirë të qeverisjes në një SHBA thellësisht të polarizuar.

    Republikanët mund ta mbajnë kontrollin në Senatin amerikan dhe si rrjedhojë mund të bllokojnë pjesën më të madhe të agjendës legjislative të Bidenit, përfshirë zgjerimin e përkujdesjes shëndetësore dhe luftimin e ndryshimeve klimatike.

    Fituesi presidencial do të ballafaqohet gjithashtu me një pandemi që deri më tani ka lënë më shumë se 235.000 të vdekur në SHBA dhe ka lënë me miliona të tjerë të papunë.

    Në Pennsylvania, Bideni doli për të parën herë para Trumpit dhe është në avantazh për 13.371 vota, ndërsa në Georgia ai udhëheq me 1.579 bota. Margjina e epërsisë në të dyja këto shtete pritet që të rritet, teksa të vazhdojë numërimi i votave. Zyrtarët në Pennsylvania kanë llogaritur se kanë mbetur edhe rreth 40.000 vota për numërim, ndërsa në Georgia rreth 4000 vota të rregullta.

    77-vjeçari Biden do të bëhej i pari demokrat që do ta fitonte shtetin e Georgias, pas bashkëpartiakut të tij Bill Clinton më 1992.

    Në Arizona, epërsia e Bidenit është rritur gjatë së premtes për 43.779 vota, ndërsa në Nevada margjina e avantazhit të tij është rritur për 20.552 vota.

    Pennsylvania, njëra prej tri shteteve tradicionalisht demokratike, bashkë me Michiganin dhe Wisconinin që u fituan nga Trumpi në zgjedhjet e 2016-s, kaherë është konsideruar si shtet vendimtar për garën e 2020-s, ndërsa të dy kandidatët kanë derdhur shuma të mëdha parash dhe kanë investuar shumë kohë në fushata në këtë shtet.

    Trump (74) është zotuar që ta portretizojë si mashtrim numërimin e ngadaltë të votave me postë, të cilat kanë qenë opsioni më i parapëlqyer për votim si pasojë e frikës nga përhapja e koronavirusit nëpërmjet votimit me prani fizike.

    Të gjitha shteteve amerikane historikisht u është dashur vetëm një ditë pas ditës zgjedhore për t’i numëruar të gjitha votat, ndonëse në shumicën e zgjedhjeve amerikane hendeku midis kandidatëve ka qenë mjaftueshëm i madh, saqë projeksionet e rrjeteve televizive kanë nxjerrë fituesin para përfundimit zyrtar të procesit të numërimit.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Zyrtarët e administratës së Bidenit po punojnë kundër kohës duke dhënë miliarda grante dhe duke ndërmarrë hapa të tjerë në përpjekje për...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Ekonomia e Shqipërisë vazhdon trendin e rritjes, e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik dhe gjatë vitit të...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Pas një viti hetimesh, Prokuroria e Posaçme në Shqipëri (SPAK), ka goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës nga Amerikës Latine...
    Të tjera
    Sport16 Nëntor 2024
    Ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0 pjesa e parë në takimin mes Shqipërisë dhe Çekisë që po luhet në kuadër të...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Ish shefi i stafit të kongresistit amerikan, Eliot Engel, dhe bashkautor i një raporti për Kosovën, Jason Steinbuam, ka shprehur qëndrimin se...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën “Ahmet Kaçiku”. Rastin...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Lideri i LDK’së dhe njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku është shprehur falënderues për atmosferën e paharueshme sonte në Istog. Ai shtoi...
    Sport16 Nëntor 2024
    Rikthimi i Mike Tyson në ring pothuajse 20 vjet pas luftës së tij të fundit profesionale shkoi siç pritej për 58-vjeçarin, pavarësisht...
    Sport16 Nëntor 2024
    Kombëtarja e Shqipërisë është duke luajtur ndaj Çekisë në UEFA Nations League, raundi i pestë. Kujtojmë që ndeshja është duke u zhvilluar...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.