Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që Besnik Tahiri të jetë shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Këtë e ka konfirmuar vet Tahiri në një përgjigje për Front Online.
“Po e konfirmoj që më kanë caktuar shef të Grupit Parlamentar”, ka thënë ai, për Front Online.
Tahiri kishte përfaqësuar AAK-në në takimin e parë të Kryesisë së Kuvendit, pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Glauk Konjufca.
AAK në këtë legjislaturë do të ketë tetë deputetë: Ramush Haradinaj, Shemsedin Dreshaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Pal Lekaj, Albena Reshitaj dhe Albana Bytyqi.
Në zgjedhjet e 14 shkurti, AAK është radhitur partia e katërt.
Ndërkaq, konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë ditën e hënë, më 22 mars.
Po të njëjtën ditë, Kuvendi ka votuar edhe për formimin e Qeverisë Kurti, ku për formimin e saj votuan 69 deputetë dhe kundër ishin 30.
Që nga qershori i vitit 2020 deri më mars 2021, Z. Tahiri shërbeu si Zëvendëskryeministër i Parë i Republikës së Kosovës.
Ai është përfitues i Bursës Chevening nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Është Magjistër i Shkencave në Qeverisjen Lokale dhe Zhvillimin Ndërkombëtar nga Universiteti i Birminghamit.
Tahiri ka një përvojë të gjerë ndërkombëtare si Konsulent për organizata të shquara ndërkombëtare, përfshirë Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), Chemonics, Tetra Tech, SDC dhe UNDP. Ai është një Vlerësues Ndërkombëtar i Çertifikuar nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Zhvillimit (IDEAS), me seli në Universitetin Carlton në Otava, Kanada.
Tahiri shërbeu si Koordinator Nacional për Reformat Shtetërore nga 2017-2019 në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke udhëhequr dhe koordinuar procesin e Reformës Shtetërore, përfshirë Pakon e Ligjeve për Reformën e Administratës Publike; Ligji për Qeverinë; Koordinimi me Komunat; dhe Bashkëpunimi me Partnerët / Organizatat Lokale dhe Ndërkombëtare të përfshira në procesin e reformës.
Tahiri është themeluesi i Institutit Kosovar për Qeverisjes Lokale (KLGI), aktualisht një nga institutet think tank më të shquar në Kosovë.
Nga 2004 në 2008, ai shërbeu në Kabinetin e tre Kryeministrave si Këshilltar Politik. Portofoli i tij i punës përfshinte menaxhimin e programeve të qeverisë së Kosovës për reformën politike dhe procesin e tranzicionit, në kornizën e zbatimit të standardeve të KB dhe BE.
Nga 2001 deri në 2004 ai shërbeu si Menaxher i Programit të 14 Qendrave të Demokracisë të OSBE-së, duke qenë përgjegjës për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe fushatat e avokimit të bazuara në qytetarë.
Që nga viti 2007, Besnik Tahiri është anëtar i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kurse, aktualish Z. Tahiri shërben si Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së./Front Online/