Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, është deklaruar rreth mundësisë që Lista Serbe të dalë nga koalicioni Qeverisës.
Tahiri ka deklaruar se vendimi iu takon partive politike për të qëndruar apo jo në koalicion, por thotë se Qeveria është duke e bërë punën e vet.
Ai thotë se nuk sheh ndonjë arsye që Lista Serbe të dalë nga koalicioni.
“Qeveria është duke e bërë punën e vet, ndërsa vendimi i partive politike gjithmonë është vendimi tyre, ashtu siç kanë hyrë munden edhe me dalë por nuk di që ka ndonjë arsye. Nuk ka pasur ndonjë komunikim me qeverinë dhe përderisa nuk ka pas nuk mundem me komentu ma shumë”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkohë, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, të mërkurën në një konferencë për media tha se partneri i koalicionit qeveritar, Lista Serbe nuk po vjen në Kuvend.
“Ne sot tentuam të mbajmë seancën e jashtëzakonshme për leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicionit dhe nga veprimet obstruktive të opozitës. Nuk po vjen Lista Serbe në seancë. Kërkoj që të gjithë deputetët e Kosovës të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese. Një pjesë e opozitës dhe koalicioni qeverisës po bëjnë veprime obstruktive”, ka thënë Gashi.