Silvio Berluskoni thotë se mjekët që po e trajtojnë atë në spital, për Covid-19 i kanë thënë se ai ishte numri 1 për sa i takon ashpërsisë së ngarkesës së tij virale dhe se ai po lufton për të dalë nga kjo sëmundje e tmerrshme.
Ish-kryeministri italian, që u shtrua në spitalin San Raffaele në Milano të enjten, i bëri komentet në një telefonatë me një kandidat nga partia e tij Forca Italia, gjatë një tubimi elektoral për zgjedhjet rajonale në luginën e Aostës.
83-vjeçari tha se nga mijëra teste koronavirusi të kryer në këtë spital, mjekët i kishin thënë se ai kishte ngarkesën më të rëndë virale.
“Virusi është shumë i keq”, tha ai, “unë po bëj maksimumin, shpresoj t’ia dal mbanë dhe të kthehem në normalitet”.
“Gjendja e Berluskonit vazhdon të përmirësohet”, konfirmon edhe mjeku i tij, Alberto Zangrillo. Ky i fundit tha se Berluskoni, që i ishte nënshtruar një operacioni në zemër në të njëjtin spital në 2016-ën kishte një infeksion mesatar në mushkëri si pasojë e Covid-19. Edhe vajza e ish-kryeministrit, Marina Berluskoni ka rezultuar pozitive për koronavirusin.
Fëmijët e tjerë, Luigi dhe Barbara si edhe e dashura, Marta Fascina, po ashtu e kanë virusin. Berluskoni, që ka kryesuar tre herë qeveritë italiane, rezultoi pozitiv pas qëndrimit në vilën e tij në Sardenjë, ku disa vatra koronavirusi u shfaqën në gusht, me origjinën në klube nate, përfshirë bilionerin e ish-bosit të Formula One, Flavio Briatore.