Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, është shprehur i bindur se presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do të dalin të pafajshëm edhe nëse do të ketë aktakuzë të konfirmuar për ta nga Gjykata Speciale.
Berisha e ka bërë një ndërlidhje të të gjitha zhvillimeve me Gjykatën Speciale me marrëveshjen e mundshme finale me Serbinë.
“Fryma politike e cila e ka përcjellur krijimin e gjykatës, ngritjen e aktakuzave dhe gjithë procesin tash qëndron diçka më thellë sesa thjesht a do të dënohen ose jo, sepse unë kam bindje të plotë se nuk do të rezultojë asgjë. Po më duket se këtu fshihet diçka më e thellë që është pritja e nënshkrimit të një marrëveshje finale, që ndoshta do të jetë shumë e rëndë ose shumë e favorshme. Po e ndërlidhi me një shantazhim të drejtpërdrejtë të liderëve politikë që kanë fuqi të marrin vendim, apo ta stopojnë nëse nuk është e favorshme për Kosovën”, tha Berisha.
“Kjo gjykatë më shumë sesa të vendosë drejtësi ndërkombëtare e ka qëllimin e shantazhimit në emër të Serbisë të procesit politik. Duke adresuar padi dhe duke penguar lidershipin aktual të jenë pjesë të procesit dhe ta stopojnë nëse nuk është i favorshëm mund të jetë për të bërë favore ndaj Serbisë për ta tërhequr ndoshta nga ndikimi rus”, u shpreh ai.
Berisha ka thënë se edhe nëse do të konfirmohet aktakuza për Hashim Thacin dhe Kadri Veselin e njëjta nuk duhet të publikohet.
“A do të bëhen të njohura konfirmimi i aktakuzave tash a po jo? Me njohuritë e mia si jurist nuk është në praktikën juridike që të publikohet aktakuza e personave që akuzohen. Nuk pres që këto aktakuza do të publikohen, derisa ato mund të konfirmohen dhe palët të njoftohen dhe të shkojnë në gjykatë vetë, apo nëse nuk i përgjigjen do të arrestohen dhe të dërgohen dhunshëm. Fakt se kjo qëndron kështu është se publikimet e mëhershme u konsideruan të jashtëligjshme. Tani nëse këto aktakuza janë konfirmuar, palët duhet të ftohen”, u shpreh Berisha.
Por, ai ka deklaruar se në rast se do të ketë një aktakuzë të konfirmuara për presidentin nga Dhomat e Specializuara, ai duhet ta bëjë publike një gjë tillë për hir të opinionit publik.
“Zyra e Presidentit e vlerëson a do ta bëjë publike ose jo dhe unë mendoj se duhet ta bëjë, sepse është shqetësim i të gjithë qytetarëve. Çdo qytetar i Kosovës është i interesuar ta dijë situatën rreth aktakuzave që do të rëndojnë mbi presidentin e vendit”, tha ai.
“Po të nisemi nga normat e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, apo të luftës siç është quajtur më herët, por bazuar edhe në doktrinat mbi të cilat e ka zhvilluar luftën UÇK-ja, mbi kapacitetet ushtarake dhe luftarake që kemi pas ne, mbi kapacitetet logjistike, unë besoj dhe kam bindje të plotë se asnjë nga pretendimet e publikuara jashtëligjshëm dhe jashtë çdo norme në atë pamfletin e pretencës gjoja për aktpadi nuk do t’i gjejnë fajtorë as dy të apostrofuarit [Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli] dhe as të tjerët që lidhen me veprën kyçe që ka qenë trafikimi me organe, apo pretendimet e Dick Martyt në raportin e tij për arsye të së cilës është ngritur edhe kjo gjykatë”, tha Berisha në Klan Kosova.
“Mbi atë a ka karakter politik ose jo, ne të gjithë e dimë presionin me të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara, se si janë ndërtuar këto aktakuza, prej kujt janë influencuar dhe cilat janë pretendimet. Publikimi i tyre në momentin më kritik – udhëtimi i presidentit në Washington – nuk është i paqëllimshëm. Ka pretenduar ta arrijë efektin politik negativ në adresë të Kosovës dhe e ka arritur”, tha Berisha.